Një ish-zyrtar i Ministrisë së Integrimeve, që ishte anëtar në Komision për vlerësimin e punës nga kompania “Majorelle PR”, e kontraktuar për lobim të Kosovës, ka dëshmuar këtë të mërkurë para Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sipas dëshmisë së tij, tekstet shpesh ishin neutrale e në raste edhe të tilla që binin ndesh me promovimin e interesave të politikës së jashtme, si shkëmbimi i territoreve
Një ish-zyrtar i Ministrisë së Integrimeve, që ishte anëtar në Komision për vlerësimin e punës nga kompania “Majorelle PR” në tetor vitit 2019, ka dëshmuar të mërkurën para Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Në këtë rast po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare ish-ministrja Dhurata Hoxha, ish-sekretari Kushtrim Cukaj, ish-sekretari Demush Shasha, ish-sekretari Nuhi Osmani, ish-shefi i prokurorimit Fitim Mustafa lidhur me aprovimin e proceseve për firmosjen e kontratave me “Majorelle PR” dhe “Madison”. Këto kompani ishin angazhuar për lobim me kontrata në vlerë mbi 100.000 euro secila.
Dëshmitari tha se raportet që ia kishte paraqitur kompania “Majorelle” ishin joserioze e në to kishte edhe materiale për shkëmbim të territoreve mes Kosovës e Serbisë.
“E veçanta e këtij raporti është që aty thuhet që kjo çështje d.m.th. çështja e modifikimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është duke u keqkuptuar dhe duke u keqperceptuar nga mediat dhe politika franceze”, ka thënë dëshmitari, Valon Jonuzi.
Paraqitja e Kosovës në artikujt që parashihej të jenë lobues, sipas dëshmitarit, ishin shpesh neutrale politikisht në raport me Kosovën, e madje kishte edhe shkrime që binin ndesh me promovimin e interesave të politikës së jashtme.
“Në këtë raportin e tetorit të vitit 2019, titujt e artikujve që kanë qenë të përfshirë në raport, kanë qenë në rastin më të mirë neutrale ndaj situatës në Kosovë. Në rastin më të keq kanë qenë shumë negative për Kosovës. Për shembull ka qenë një artikull që thotë ‘Kosova voton mes mjerimit dhe korrupsionit’”, ka thënë ai.
Gjyqtarët u interesuan për përmbajtjen e raporteve negative për Kosovën, të cilat dëshmitari tha se i janë përcjellë Ministrisë.
Në seancë, vazhdoi edhe dëshmia e ekspertit Agim Sheqiri, për të cilin avokatët e të akuzuarve thanë se tash për tash nuk është në listë të Këshillit Gjyqësor si ekspert të prokurimit. Dëshmia e tij u shty, pasi gjykata vendosi ta dëgjonte dëshmitarin Jonuzi, i cili akuzoi trupin gjykues për joprofesionalizëm.
“Unë më nuk do të vij, po mendoj, dy herë e kam shprehur dëshirën për të ardhur me ftesën tuaj dhe për mua nuk është korrekte, kjo mënyrë e qasjes dhe mungesë e profesionalizmit”, ka shtuar Jonuzi.
“Këtu nuk dihet sepse krejt po mendoni që po merrni vesh në drejtësi e asnjë s’merrni vesh në drejtësi. Po i jep vetes të drejtë të japësh komente kur kurrë s’ke marrë pjesë në asnjë procedurë gjyqësore. Kështu që do t’u kisha lutur kurseji epitetet për gjykatën. Mos bëj ndërhyrje në gjykatë me komentet tua, mos e pengo punën e gjykatës as ti e as kurrkush dhe je i obliguar t’u përgjigjesh ftesave të gjykatës, përndryshe ke konsekuenca ligjore–pikë. Do të përpiqemi të harmonizohemi”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti.
Seancat e radhës lidhur me rastin caktuar për 7 e 8 shkurt 2023.