Arbëri

Ish-sekretari i NATO-s: Të jesh i ashpër me Serbinë shpërblehet

Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë bombardimeve në Kosovë, George Robertson, ka thënë se të jesh i ashpër me Serbinë shpërblehet.

Robertson të martën mori pjesë në një diskutim të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit britanik për Ballkanin Perëndimor. I ftuar ishte edhe ish-ambasadori i Britanisë në Kosovë, Ian Cliff.

“Të jesh i ashpër me Serbinë shpërblehet. Njerëzit në këtë pjesë të botës e respektojnë forcën”, ka thënë Robertson.

E këtu ndërhyri deputetja britanike njëherish udhëheqësja e Komisionit, Alicia Kearns.

”Nuk mund të mendoj një shembull ku në 4 vjetët e fundit kemi treguar forcë”, ka thënë ajo.

Derisa Robertson ia ktheu: “Kjo është ajo që ne duhet të bëjmë”.

Ndërsa ish-ambasadori Cliff ka kërkuar informacione se çfarë po ndodh me hetimet për sulmin në Banjskë, ku më 24 shtator nga një sulm paramilitar serb vdiq polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Ne duhet të pyesim miqtë tanë në BE se çfarë kanë bërë me raportin e Qeverisë së Kosovës. Është dorëzuar në Bruksel në janar, ja ku jemi në mes të marsit. Çfarë po bëjnë ata për këtë?”, ka thënë Cliff.