Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ish-koordinatorja e Ekipit menaxhues kritikon ambasadorin gjerman Rohde

Ish-koordinatorja e Ekipit menaxhues për propozimin e draftstatutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Danijela Vujiçiq, i ka reaguar ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Rohde tha se Kosova duhet ta përgatisë një drafstatut të vetë.

“Drafti më i mirë mund të përgatitet nga Kosova për Kosovën. Një vizion nuk është draft. Çka na duhet është një draft nga Kosova shumë shpejt, të shohim se çfarë idesh konkrete ka për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe. Ky, mendoj që është obligim i Kosovës për ta sjellë përpara këtë proces”, është shprehur Rohde pas interesimit të gazetarëve.

Vujiçiq ka reaguar në një postim në Twitter duke e quajtur Rohden “të njëanshëm”.

“Qëndrimi i njëanshëm i Rohdes, si dhe synimi që AKS-ja të jetë një lloj OJQ-je që e dëshiron Prishtina, është në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet për të cilat zotuar. E ashtuquajtura ‘Kosovë’ nuk ka legjitimitet për ta hartuar statutin e AKS-së, por Ekipi menaxhues (pika B paragrafi 2) i marrëveshjes për fushëveprimin e punës së Ekipit menaxhues”, ka shkruar Vujiçiq.