Arbëri

Ish-gjykatësi Kryeziu: Kryeministri ka gabuar që ka ndërhyrë në rastin e kryeprokurorit Isufaj

Ish-gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë se konfrontimet e pushteteve mes vete i bëjnë dëm shtetit.

Kryeziu në "Interaktiv" të KTV-së ka thënë se kryeministri dhe presidenti duhet të qëndrojnë larg dhënies së mendimeve për sistemin e drejtësisë.

“Pushtetet nuk duhet të konfrontohen mes vete, i bëjnë dëm shtetit. Kryeministri ose presidenti nuk duhet të japin mendime rreth problemeve, sidomos te pushteti i drejtësisë apo pushteti gjyqësor sepse mund të reflektojnë negativisht. Kemi nevojë për reforma, për ngritje të kapaciteteve, koncepte ndryshe të zhvillimit të shoqërisë por ato duhet dalëngadalë sepse shteti ynë është i mbikëqyrur nga ndërkombëtarët”.

Kryeziu nuk mendon se Qeveria po ndërhyn në sistemin gjyqësor. Megjithatë, ka theksuar se deklarimet publike nuk janë pozitive.

“Jo, por deklarimet publike nuk janë pozitive, nuk krijojnë premisë që një gjyqtar a prokuror të ushtrojë detyrën e tij në bazë të Kushtetutës dhe ligjit sepse krijon një frikë në ndërtimin e kapaciteteve që ne sot i ndërtojmë”.

Ai ka shtuar se qasja e qeverive ka qenë që ta vlerësojnë Gjykatën Kushtetuese në bazë të vendimit mbi kërkesën e tyre.

“Ndonjëherë subjektet politike të cilët bëjnë kërkesë, nganjëherë fitojnë rastin, nganjëherë e humbin rastin. Nuk mund të themi që kur ta fiton rastin Gjykata Kushtetuese është e mirë dhe e drejtë e kur e humb rastin Gjykata nuk është e mirë dhe e drejtë. Kjo është qasja e të gjitha qeverive, jo vetëm kësaj”.

E sa i përket deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, se Blerim Isufaj nuk do të mund të bëhet kryeprokuror i Shtetit, Kryeziu ka thënë se është e padrejtë të flitet për një individ ashtu siç ka folur Kurti.

“Atëherë pse nuk e ndërron, më mirë ta ndërroj se të bisedoj për individin, se është e padrejtë të diskutohet për një prokuror apo prokurorinë, por ka mekanizëm për ndryshim, presidenti e bën një mbikëqyrje sepse i dekreton prokurorët dhe kryeprokurorin. Presidenti ka pozicion neutral të pushtetit shtetëror. Kryeministri ka gabuar që ka ndërhyrë në një person”.

Sipas Kryeziut, në Kosovë drejtësia është e paanshme, duke arsyetuar se “merren vendime që nuk ndërhyn askush, ato vendime janë të drejta, vendimet mund të apelohen”.

“Një prokuror duhet me pasë guxim që të marrë një vendim, tek një prokuror a gjyqtar nuk duhet të infiltrohen partitë politike që pastaj të marrë një vendim, se nuk është drejtësi. Drejtësia duhet të jetë e paanshme, kështu e garanton Kushtetuta dhe ligji”.

Ai ka theksuar se sistemit të drejtësisë i nevojitet transformimi dhe reforma, ndërkaq vetingun e sheh proces të mirë për vendin.