Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Blerim Grainca, i cili refuzoi paratë për karburante në vitin 2015, thotë se çështja e shpenzimeve për transport e deputetëve është shumë e vogël në raport me disa çështje të tjera që janë brenda Kuvendit të Kosovës që duhet të gjejnë zgjidhje.
I ftuar në emisionin Sot të KTV-së, Grainca edhe pse vetë kishte refuzuar shfrytëzimin e beneficioneve që kishte si deputet para 7 vjetësh, ai ka arsyetuar kolegët e tij tashmë-deputetë, duke thënë se legjislacioni në fuqi ua mundëson atyre këtë të drejtë, andaj sipas tij të zgjedhurit e popullit nuk duhet të quhen të korruptuar për këtë çështje.
“Letra është shkruar në vitin 2015 në kushte dhe rrethana krejt tjera. Atëherë nuk e kam menduar që pas 7 vitesh do të diskutohej kjo punë, pasi atëherë kam menduar që po kryej një veprim normal qytetar duke menduar se të gjithë deputetët do ta bënin të njëjtën. Nuk mendoj se ka qenë gjest i veçantë. Unë në atë kohë e kam pasur banimin në Ferizaj zyrtarisht, por meqenëse kam jetuar në Prishtinë më dukej jo e drejtë ta shfrytëzoja këtë beneficion. Legjislacioni në fuqi ua mundëson deputetëve të marrin disa beneficione, a është shumë apo pak është çështje që duhet të diskutohet. Është bërë trend në Kosovë që për disa vite me radhë deputetët demonizohen. Pra, është krijuar një opinion që të gjithë deputetët janë hajna dhe të korruptuar, gjë që nuk është e vërtetë”, ka thënë ai.
Sipas Graincës, është e drejtë e qytetarëve të komentojnë mbi këtë çështje pasi bëhet djalë për paranë publike dhe populli kërkon llogari, mirëpo për situatën e krijuar nga publikimi i shpenzimeve të deputetëve për karburantë, gjë që ai e ka quajtur “opinion negativ”, përgjegjës e la Lëvizjen Vetëvendosje, e cila sipas tij, ka sulmuar vazhdimisht institucionet me kauza të ndryshme.
“Publikimi i atij lajmi i dha rast shumë deputetëve të tërhiqen nga ato beneficione. Unë nuk mendoj të akuzoj askënd në këtë rast, por nëse ka një përgjegjës për krijimin e një opinioni negativ për institucionet është Lëvizja Vetëvendosje me ato kauzat “regjimi, pushteti, e kaluara apo e sotmja”, ndërsa tani i ka kaluar një e treta e mandatit dhe asnjëherë s’është vonë që ato mjete të përdoren drejt pasi që ka kategori që kanë nevoja të ndryshme, i inkurajoj edhe grupet tjera ta bëjnë”, ka thënë ai.
Ish-deputeti nga Ferizaj më tej tha se qytetarët duhet të jenë më të vetëdijshëm se ku po e adresojnë besimin, por se asnjëherë nuk duhet të përgjithësohen të zgjedhurit, pasi që thotë se ka njerëz të përgjegjshëm që punojnë nëpër institucione.
Edhe
U quajt “naftë”, Duda Bale thotë se ndihet keq që është deputete e Kosovës
“Shpeshherë kemi pasur persona që përfliten për afera të ndryshme, por të njëjtit marrin më së shumti vota në zgjedhje. Deputetët përveç pagës bazë kanë edhe mëditjet për pjesëmarrje. A e përfaqësojnë drejt interesin e qytetarëve është diçka që shihet, sidomos nga gazetarët. Asnjëherë nuk mund t’i përgjithësojmë, por se në Parlamentin e Kosovës ka edhe njerëz të përgjegjshëm. Problemet duhet të zgjidhen një nga një prej të voglave deri te ato më të mëdha që janë sikurse kjo me energjinë që është kryekëput një keqmenaxhim ndër vite por edhe i qeverisë aktuale, prandaj shpresoj se në këtë vend ka shumë ditë të mira që po vijnë.
Se a duhet të heqin dorë deputetët nga këto përfitime shtesë përveç pagës bazë, Grainca thotë se është në dorën e vetë deputetëve të heqin dorë nga beneficionet dhe gjithçka varet nga bindja e tyre.
-
Deputetët nuk sanksionohen për përfitim në emër të shpenzimeve për udhëtim
-
Haxhiu për pagat kalimtare të deputetëve: Nuk është e drejtë, por parashihet me ligj
-
Opozita bllokon pakon kundër inflacionit, me arsyetimin se me të LVV-ja do që të blejë vota
-
Grainca: Lidershipi i LDK-së ka qasjen sikur historia fillon me të