Arbëri

Ironia e nënkryetares së PDK-së: “Poshtë regjimi i vjetër Messi – Ronaldo”

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka shfrytëzuar triumfin e Karim Benzemas në garën për Topin e Artë, për të ironizuar me partinë në pushtet – VV.

Ajo përmes një postimi në Facebook, të hënën mbrëma, përdori një frazë që VV-ja shpesh e përdor, atë “për shkatërrimin 20-vjeçar të vendit”.

“Poshtë regjimi i vjetër Messi & Ronaldo. E keni shkatërruar futbollin që 20 vjet”, ka shkruar Çitaku.

Benzema u shpall të hënën Lojtari më i mirë në botë, në ceremoninë e përvitshme “Ballon d’Or” të mbajtur në Paris.

Në garë për ta fituar Topin e Artë, përveç Benzemas ishte edhe Robert Lewandowski, Sadio Mane, Kevin De Bruyne dhe Mohamed Salah.

Lionel Messi e Cristiano Ronaldo e kanë fituar këtë çmim për disa vjet rresht, herë njëri e herë tjetri.