Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Intensiteti i gripit sezonal në Kosovë po bie

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, gjatë mbikëqyrjes permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes të situatës epidemiologjike, në raportin e sotëm përmbledhës ka konstatuar intensitet konstant të rasteve të gripit sezonal.

Nga 1 tetori deri më 25 shkurt 2018, në IKSHP janë raportuar gjithsej 49.343 raste të dyshimta në grip, 4454 raste me Infeksion Respirator Akut dhe 89 raste SARI (Sëmundje e Rënde Respiratore Akute).

“Gjatë javës 08–të 2018 janë raportuar 4638 (25.2% më pak) raste të dyshimta në grip, 277 raste me Infeksion Respirator Akut dhe 5 raste SARI (Sëmundje e Rënde Respiratore Akute). Në laboratorët e Qendrës Kombëtare të gripi, në Institutin Kombëtar prej fillimit të sezonit të gripit, 251 persona kanë rezultuar pozitivë në Influencë. Sipas tipit, 105 raste janë pozitive në Influencën A dhe 146 në Influencën B”, ka thënë IKSHP në njoftimin për media.

Sipas këtij Instituti, 26 raste i takojnë subtipit A(H1)pdm09 dhe 79 raste tjera janë A të pa subtipizuara, ndërsa 146 raste të konfirmuara i takojnë tipit B, dhe 48 prej tyre janë subtipi Yamagata (“Gripi Japonez”).

IKSHP thotë se epidemia e gripit sezonal ka rënie të dukshme në intensitet.

Instituti Kombëtar rekomandon qytetarët akoma të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë (sidomos në javën vijuese), të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorin sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina.

Të gjithë personat që ndjehen të sëmurë duhet të paraqiten sa më herët te mjeku familjar për të parandaluar komplikimet.

Epidemiologët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës vazhdojnë të përcjellin me vëmendje ecurinë epidemiologjike në rajon, Evropë dhe botë.

Artikuj të ngjashëm