Arbëri

GAP: Edhe këtë vit Qeveria ndau më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga VV-ja

Instituti GAP ka analizuar ndarjet buxhetore për vitin 2024, duke i krahasuar ato me vitin paraprak, pas aprovimit të Projektbuxhetit 2024 nga Qeveria e më pas në lexim të parë edhe nga Kuvendi.

Siç thuhet në raport, në hartimin e Projektbuxhetit të vitit 2024, Qeveria është treguar më e matur në planifikimin e të hyrave dhe shpenzimeve. Kjo pasi parashikohet një rritje e ngadalësuar e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore, me 5 dhe 3 për qind, duke arritur në shumën tre dhe 3.3 miliardë euro.

“Shpenzimet kapitale planifikohen të rriten më shumë sesa ato rrjedhëse, megjithatë, rritja e planifikuar e tyre është relativisht e ulët krahasuar me vitin paraprak (15%). Te kategoritë kryesore të shpenzimeve rrjedhëse, kategoria e pagave dhe shtesave planifikohet të ketë rritje prej 59.9 milionë euro apo 8%, kryesisht për shkak të rritjes së vlerës monetare të koeficientit të pagave të sektorit publik nga 105 në 110 euro. Me Projektbuxhetin 2024 është krijuar hapësirë edhe për 2,308 vende pune shtesë, nga të cilat 1,793 për nivelin qendror (kryesisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme (polici) dhe atë të Mbrojtjes (FSK) dhe 515 për nivelin komunal”, thuhet në përmbledhjen e këtij instituti.

Më tej thuhet se shkalla e realizimit të buxhetit të ndarë për investime kapitale ka mbetur e ulët. Sikurse vitin e kaluar, edhe këtë vit, GAP-i konsideron se Qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Nga gjithsej 859.2 milionë euro sa janë planifikuar për shpenzime kapitale për vitin 2024, rreth 83% janë vazhdim i projekteve të mëhershme dhe 17% janë planifikuar për projekte të reja kapitale. Pjesëmarrja e buxhetit të ndarë për investime kapitale në Bruto Produktin Vendor ka një trend rënës nga viti 2017, dhe në vitet 2021 dhe 2022 ka mbetur e pandryshuar, në nivel prej 8%. Për më shumë, shkalla e realizimit të buxhetit të ndarë për investime kapitale mbetet e ulët, në nivel 60% në vitin 2022 dhe në nivel 35% deri në shtator të vitit 2023. Këtë vit, vlera e investimeve kapitale të reja të nivelit qendror të destinuara për projekte specifike në komuna është 21.8 milionë euro. Ngjashëm me vitin e kaluar, edhe këtë vit, qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (VV) ku mbi gjysma e kësaj shume (59.5% apo 13 milionë euro) janë orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime). Këto komuna përbëjnë 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë”, thuhet në raport.

Shkarko dokumentin