Në aksionin e javës se kaluar në fshatin Karaçevë, objektet që dyshohet se nuk kanë leje ndërtimi, janë trajtuar ndryshe siç ndodh me objektet ilegale anembanë Kosovës.
Të shumtë kanë qenë njerëzit që kanë marrë pjesë në aksion, ku të arrestuar janë 35 persona, një pjesë e tyre zyrtarë policorë.
Pas aksionit, objektet janë rrënuar në tërësi.
Gjykata Themelore në Gjilan ka thënë se rrënimi është bërë me vendim të Komunës e jo të këtij institucioni.
“Gjykata Themelore në Gjilan muaj më parë ka lëshuar urdhëresë për hetimin, përgjimin dhe bastisjen e lokacioneve, ku dyshohet se janë kryer veprimtari të paligjshme në fshatin Karaçevë, Komuna e Kamenicës, por jo edhe për këto që i përmendni ju, pasi që nuk është në kompetencën tonë”, ka thënë Sabit Shkodra nga Gjykata Themelore në Gjilan.
Rrënimi i objekteve pa leje, pavarësisht se është shfrytëzuar ose jo për kryerjen e ndonjë vepre penale, kryhet në bazë të Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje.
Neni 11 i këtij ligji shpjegon procedurën.
Lajmërimi për rrënim, sipas këtij ligji, duhet t’i jepet personalisht ndërtuesit, njoftimi duhet të vendoset në një vend të dukshëm në objektin e ndërtuar pa leje.
Tri rrugë pas kësaj, ka pronari i ndërtimit ilegal për objektin e ndërtuar. Sipas ligjit, ai dorëzon aplikacionin për legalizim dhe paguan dyfishin e taksave përkatëse, rrënon ndërtimin ose parashtron ankesë.
Ligji e specifikon qartë se rrënimet kryhen në mënyrë të përgjegjshme, me njoftim paraprak e respektim të të drejtave të njeriu.
Komuna e Kamenicës në një përgjigje me shkrim nuk ka treguar për hapat që kanë ndërmarrë për zbatimin e Ligjit për rrënimet ose legalizimet e këtyre objekteve. Kanë thënë që e kanë njoftuar disa herë policinë për këtë çështje.
“Komuna e Kamenicës disa herë ka kërkuar asistencën e Policisë së Kosovës për ndërhyrje në pjesën për të cilën po flasim. Po ashtu, në këtë aksion, Komuna ka qenë e angazhuar në cilësinë e autoritetit kompetent në territorin e saj. Nëse bazohemi në Ligjin për Ndërtimin, tek pjesa e rrënimit i referohemi në secilin rast atij që ka ndërtuar, objekti i të cilit rrënohet si „posedues i lejes ndërtimore“, ndërkohë që ky nuk është rasti. Ndërkohë, nëse pyetja është për inspektimet lidhur me ndërtimin, një gjë e tillë nuk është bërë për shkak se mungesa e lejes së ndërtimit nga personat që kanë zhvilluar veprimtaritë e kundërligjshme është fakt notor, e faktet e tilla nuk ka nevojë as të vërtetohen. Vendimi për rrënim është nxjerrë më datë 18.9.2020”, është thënë nga kjo komunë.
Aksioni në Karaçevë, që institucionet e kanë konsideruar “si më të madhin ndonjëherë në Kosovë të kësaj natyre”, nuk dihet nëse ka rezultuar me sekuestrime të objekteve, parave e pasurive të tjera, siç ndodh në aksionet për vepra të ngjashme si në këtë rast.
Policia e Kosovës, e cila publikon foto me sende të sekuestruara në aksione të ndryshme, ka refuzuar të përgjigjet për vlerën e sendeve të sekuestruara me arsyetimin se nuk është përgjegjësi e tyre.
“Referuar kërkesës suaj, ju lutemi ti adresoheni autoritetit kompetent PTH Gjilan”, është thënë nga PK-ja.
As Prokuroria e Gjilanit nuk e ka treguar vlerën e mjeteve të sekuestruara në këtë aksion, në të cilin morën pjesë qindra policë e u asistuan nga shumë institucione të tjera.
Në Kosovë është një precedent, në lidhje me atë se a mund të rrënohen objektet pa leje, pa të drejtën e ankesës dhe shfrytëzimit të të gjitha rrugëve që i garanton ligji.
Komuna e Prizrenit pati nisur rrënime tek objektit e “Abi Qarshia”.
Megjithatë, ndaj inspektorëve që morën vendim për rrënim, e që dyshohet se nuk ishte në përputhje me ligjin, Prokuroria në Prizren pati ngritur aktakuzë për veprën penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare.