Situata e krijuar me koronavirus në Kosovë ka bërë që vëmendja e personelit dhe e reparteve mjekësore të orientohet nga pacientët e prekur nga ky virus.
E megjithatë pacientët dhe familjarët thonë se vëmendja nuk do të duhej të kalonte vetëm tek COVID-19-shi, raporton KOHA.
Sipas tyre, personeli shëndetësor po neglizhon trajtimin e rasteve të tjera e që thonë se një qasje e tillë është e papranueshme.
Se duhet kushtuar kujdes më i madh ndaj pacientëve që nuk vuajnë nga koronavirusi e thotë edhe Besim Kodra, Kryetar i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve.
Sipas tij, trajtimi nëpër qendrat spitalore vetëm i pacientëve me COVID-19 e jo edhe i grupeve të tjera mund të konsiderohet si dëmtim i shëndetit publik.
Kodra tutje shton se me gjithë shtimin e rasteve me koronavirus shëndetësia duhet të shihet si tërësi dhe si e tillë duhet të kryejë funksionin e saj për të gjithë pacientët.
Edhe
Spitalet e QKUK-ja përballen me mungesë të stafit shëndetësor
Ai thotë se nëse vazhdohet një situatë e tillë shëndeti publik është në prag të kolapsit.
Një ditë më parë në takimin që pati me drejtorët e klinikave të QKUK-së, ministri i Shëndetësisë tha se duhet rifilluar trajtimi i të gjithë pacientëve.
Ndërkohë KOHA ka raportuar se pacientët të cilët kanë rezultuar negativë me COVID-19 në shumë raste janë trajtuar në të njëjtat dhoma me ata që janë të infektuar me këtë virus.