Arbëri

Institucionet pa të dhëna për ndotjen e ajrit nga emetimi i gazeve të automjeteve

Kosova nuk ka të dhëna për ndotjen e ajrit nga automjetet transportuese, por pritet të krijohet një databazë për të. Përmes një projekti të Ministrisë së Mjedisit me një agjenci japoneze po bëhen disa matje për të parë nivelin e ndotjes. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë, aktualisht nuk do të ndërmerret asnjë masë për parandalimin e ndotjes. E njohësit e çështjes thonë se duhet të krijohen mekanizma që të bëhet kjo

Për një orë qëndrimi të enjten, në rrugën magjistrale Mazgit të Prishtinës, pajisja që mat emetimin e gazeve tek automjetet detektoi se katër prej tyre ishin jashtë standardit. Vlera e emetimit të gazeve ishte mbi pesë.

Pas emetimit Policia i ndalonte shoferët duke i udhëzuar ata t’u bëjnë kontroll teknik automjeteve.

Ky kontroll është pjesë e projektit të zhvilluar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) në bashkëpunim me një agjenci japoneze dhe ka për qëllim të kuptojë se cilat mjete transportuese kontribuojnë më shumë në ndotjen e ajrit.

Zëvendësministri i këtij dikasteri, Avni Zogiani, ka thënë se deri më tash nuk ka të dhëna për ndotjen e ajrit që e shkaktojnë automjetet transportuese.

“Deri më tash nuk ka të dhëna të konsoliduara, ka të dhëna parciale, të dhëna jo të kompletuara. Por, aktualisht qëllimi i këtij projekti është të krijohet një bazë shkencore e të dhënave ekzakte të cilat pastaj na ndihmojnë të shkojmë më tutje”, ka deklaroi Zogiani.

Ai u shpreh se aktualisht nuk do ndërmerret asnjë masë për mjetet që shkaktojnë ndotjen e ajrit.

“Aktualisht asgjë, ky projekt ka për qëllim hulumtimin. Nuk ka për qëllim as ndëshkimin, as ndërmarrjen e masave”, ka shtuar Zogiani.

E përfaqësues nga agjencia japoneze JICA theksuan, po ashtu, se Kosova nuk ka të dhëna të mjaftueshme dhe treguan për masat që duhet të ndërmerren.

“Çka duhet të bëhet është të mblidhen të dhënat e mjaftueshme, të krijohet databaza dhe pastaj duhet të analizohen dhe të shikohen në bazë të prioritetit se cilët janë ndotësit më të mëdhenj dhe në të ardhmen të merren masa nga Qeveria”, ka thënë udhëheqësi i projektit, Kuwahara Fumihiko.

Ndërkohë, Arton Demhasaj, drejtor i organizatës “Çohu”, ka thënë se rreth 50% ishte ulur ndotja e ajrit në kohën e pandemisë, kur u kufizua qarkullimi.

Sipas tij, ndotësit industrialë, veturat e vjetra dhe cilësia e derivateve janë problem kyç. Ka folur edhe për hapat që duhet të ndërmerren nga Qeveria në të mirë të ambientit.

“E para, mendoj që çka kish mujt Qeveria tash për tash me bo është më fillu me kriju një mekanizëm që është e gjithhershme dhe që e bënë matjen e cilësisë së derivateve edhe në pikat furnizuese që janë në Kosovë. Me fillu me kriju politika të reja që me subvencionu blerje të veturave që janë më eko, që më pak e ndotin ambientin dhe ne gradualisht me fillu me i largu vetura e vjetra”, ka thënë ai.

Demhasaj ka shtuar se sipas statistikave, rreth 50% e automjeteve janë më të vjetra se dy dekada.

Projekti për mbledhjen e të dhënave të ndotjes së ajrit nga Ministria është paraparë të zhvillohet në zonën e Prishtinës, ku përfshihen Obiliqi, Fushë-Kosova dhe Graçanica.