Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Informaliteti dëmton rëndë Kosovën, largon investitorët ndërkombëtarë

Foto: REL

Ndonëse sistemi tatimor i Kosovës vlerësohet të jetë i thjeshtë, i madh vazhdon të jetë informaliteti dhe ekonomia jo formale në Kosovë.

Zëvendësdrejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Hamdi Hoxha, thotë për Radio Kosovën se edhe pse informaliteti në vend është mbi 31 %, vitin e kaluar është shënuar rënie dhe ATK arriti të mbledhë më shumë tatime.

“Në vitin 2017, me të dhënat e vitit 2015, ka pasur rënie të informalitetit dhe kemi 31.7%. Vitin 2017 e kemi mbyllur me të hyra tatimore me 415 milionë. Për 115 milionë kemi rritje të inkasimit të të hyrave tatimore, që nënkupton edhe zvogëlim të informalitetit apo shmangies tatimore”, tha Hoxha.

Për Arian Zekën, nga Oda Ekonomike Amerikane, informaliteti në Kosovë është i lartë dhe kjo, sipas tij, po i dëmton bizneset e rregullta. Ai tregoi se kush pëson më së shumti nga informaliteti.

“Pasojat e informalitetit godasin në rend të parë ata që janë tatimpagues të rregullt. Pra, kompanitë që i kryejnë me rregull detyrimet e tyre karshi shtetit”, tha ai.

Zeka thotë se niveli i lartë i informalitetit po ndikon keq edhe në tërheqjen e investitorëve ndërkombëtarë.

Edhe Odat ekonomike ngrehin shqetësimin për shkallën e informalitetit Arbëri Odat ekonomike ngrehin shqetësimin për shkallën e informalitetit

“Informaliteti si i tillë është natyrisht edhe pengesë për tërheqjen e investimeve të huaja, por edhe sjelljen e brendeve botërore në Kosovë, meqenëse ato nuk duan të vijnë dhe të operojnë në një mjedis ku ka një shkallë të tillë të lartë të informalitetit”, tha Zeka.

më parë, në tryezën me temë, “Luftimi i informalitetit, hapat e deritanishëm dhe rruga përpara”, organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, u tha se mbi 50 % e bizneseve në Kosovë nuk janë të fiskalizuara, dhe kjo po ndikon në rritjen e informalitetit dhe në çrregullimin e tregut nga konkurrenca jolojale.

Ndërkaq, në Administratën Tatimore të Kosovës thonë se fiskalizimi i bizneseve është proces që po vazhdon dhe kjo, sipas tyre, po ndikon në luftimin e informalitetit dhe konkurrencës jo lokale.