Një ish-bar kafe e shndërruar në konsultore, buzë rrugës së fshatit Rrethas në thellësi të Dibrës, është shndërruar në një qendër shprese për plot banorë të zonës. Nusja e shtëpisë, infermiere, pas punës në shtet, ofron ndihmë për të gjithë banorët e zonës që e kanë të vështirë të udhëtojnë 1 orë larg, deri te qendra më e afërt shëndetësore.
Në Rrethas në Fushëcidhe të Dibrës, një godinë e vogël buzë rruge ka shërbyer më parë si bar kafe për banorët. Por familja ka hequr dorë nga ato pak të ardhura. Sot nusja e shtëpisë Vjollca, që është infermiere, ofron shërbim shëndetësor për 300 banorët e kësaj zone, shkruan tch.
Vjollca Buci punon si infermiere prej 26 vitesh në qendrën shëndetësore në Fushecidhen, ku edhe po të jesh shëndosh e mirë, është e vështirë të shkosh.
Përveçse është një orë larg, rruga është shumë e keqe. Për 26 vjet Vjollca u ka shërbyer këtyre banorëve herë në shtëpinë e saj e herë në shtëpitë e tyre pa hezituar as në orët e vona të natës, duke bërë shpesh edhe rolin e mjekut.
“Po njerëzit kishin nevojë, kishin helmime, temperaturë të lartë, matje tensioni apo një gjilpërë. Unë u shërbeja në shtëpinë time. Atëherë familja e pa të arsyeshme që këtë ambient ta vëmë në shërbim të komunitetit”, shprehet Vjollca Buci.
Edhe
Molliqaj: Në sistemin tonë ku nuk ka kushte, gjysma e punës kryhet prej familjarëve
Vjollca tregon se është përballur edhe me raste shumë të rënda. Madje deri në vitin 2005 ajo ka pritur edhe lindje të bebeve në shtëpitë e pacientëve. Por tani u përllogarit nënave shtatzënë datën e përafërt të lindjeve që të shkojnë në maternitet.
Banorët e fshatit Rrethas marrin çdo shërbim shëndetësor këtu, por kjo konsultore ka vetëm një krevat dhe disa medikamente në rast urgjence. Familja e Vjollcës dhe humanizmi i tyre deri këtu mund të shkojnë, duke ofruar ambientet, madje pa marre as qira nga shteti.
“Kam nevojë të më rregullohet ambienti, të kemi një peshore për fëmijët, çantën e infermierit dhe të paktën të me heqin shpenzimet e energjisë”, shprehet ajo.
Drejtori i Qendrës Shëndetësore Fushëcidhen thotë se kjo zgjidhje e infermieres e ka ndihmuar edhe atë si mjek, por konsultorja duhet të pajiset.
Edhe
Tri fshatra të Ferizajt mbesin pa qendra të mjekësisë familjare
“Vjollca me zgjidhjen e saj ka ndihmuar banoret edhe mua si mjek. Ne si Qendër Shëndetësore i kemi dhënë vetëm një krevat, por ndoshta do të ishte mirë që ajo të pajisej me disa pajise mjekësore të domosdoshme për urgjencat”, u shpreh Erjol Shehu, drejtori i qendrës shëndetësore Fushëcidhen.
E kontaktuar nga Top Channel Drejtoria e Shëndetit publik Dibër premtoi pajisjen e shpejtë të konsultores me mjetet e nevojshme mjekësore.