Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Inaugurohet obelisku që nderon sakrificën e profesionistëve shëndetësorë

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ishin të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të obeliskut për të nderuar sakrificën e punëtorëve shëndetësorë ndër vite. Ky obelisk u vendos në hyrje të Qendrës së Klinikës Universitare të Kosovës

Në hyrje të Qendrës së Klinikës Universitare të Kosovës është vendosur të mërkurën një obelisk me anë të të cilit nderohen kontributi dhe sakrifica e profesionistëve shëndetësorë.

Në ceremoninë e inaugurimit të këtij obelisku të pranishëm ishin ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të cilët e vlerësuan lart punën e mantelbardhëve gjatë periudhës së luftës dhe të pandemisë.

E obeliskun ministri Latifi e quajti një veprim modest për lartësimin e veprës së madhe të stafit mjekësor.

“Fati i mantelbardhëve është gjithmonë i lidhur ngushtë me fatin e popullit të tyre anembanë botës ose me popullin që i shërbejnë, sikurse që janë mjekët, infermierë, vullnetarët, që ndihmojnë gjithë botën...Dita e sotme, në prag të ditës hyjnore të përvjetorit të 14-të të Pavarësisë së Kosovës është një moment për të rikujtuar të gjithë mantelbardhët e rënë gjatë luftës sonë çlirimtare duke i ofruar ndihmë popullit në ditët më të vështira”, ka theksuar Latifi. “Po kështu, përkujtojmë dhe përulemi para të gjithë heronjve të pandemisë COVID-19, të cilët gjatë dy vjetëve të fundit ranë në krye të detyrës së shenjtë për të shpëtuar jetën e qytetarëve”.

Kryetari i Prishtinës ka dhënë me këtë rast një lajm për Odën e Mjekëve. Ai ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës është duke zhvilluar bisedime me Ministrinë e Shëndetësisë për funksionalizimin e një ndërtese për këtë odë.

Edhe Inaugurohet obelisku për sakrificën e profesionistëve shëndetësorë Arbëri Inaugurohet obelisku për sakrificën e profesionistëve shëndetësorë

“Kemi pasur edhe disa takime me ministrin se si tash e pas të merremi me krijimin e Spitalit të Qytetit dhe me përmirësimin e kushteve edhe në QKUK, po ashtu edhe në transformimin e qytetit që qytetarët të kenë shërbime të mira, por edhe t’i mbrojmë edhe mjekët. Kam nderin që edhe Oda e Mjekëve është këtu, ku do të krijohet një ndërtesë e re për funksionalizmin e hapësirave për Odën e Mjekëve edhe për atë jemi në proces e sipër me ministrin”, ka theksuar Rama.

Një paralajmërim të tillë kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, e ka cilësuar si lajm të gëzueshëm.

“Kjo qe sihariqi më i mirë që të kryhet saga e ndërtesës së odave pas tre vjetëve”, ka theksuar ai.

Sejdiu gjithashtu ka bërë të ditur se obelisku për punëtorët shëndetësorë do të shërbejë si një pikë për përkujtimin e sakrificave dhe të kontributit të tyre.

Edhe Shëndetësia primare në Prishtinë nga tani identifikohet me figurën e humanistit Gani Demolli Arbëri Shëndetësia primare në Prishtinë nga tani identifikohet me figurën e humanistit Gani Demolli

“Tani e tutje do të kujtohen nga të gjithë ne, ku do t’i kujtojmë vuajtjet, sakrificat, gjakun e derdhur shumë shpesh nga ana e punëtorëve shëndetësorë. Të jetë kjo ditë përkujtimore për punëtorë shëndetësorë. Të jetë ditë që respektohet puna e kolegëve tanë”, ka theksuar ai.

Projekti për ngritjen e obeliskut është realizuar me iniciativën e kryetarit të Odës së Mjekëve, në bashkëpunim me odat e profesionistëve shëndetësorë dhe me donatorë të ndryshëm.