Arbëri

Ilir Deda: Çfarë PAN-i, qeverinë e krijojnë LAA me Vetëvendosjen

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, pas regjistrimit në listën e deputetëve të dalë nga zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare, tha se më 3 gusht do të shihet qartë se pohimet e Koalicionit PAN se i ka votat në fakt ka qenë një përpjekje për të krijuar mjegull dhe për “degradimin e rregullës bazikë që veç partitë politike mund të krijojnë qeverinë”.

Është shumë për keqardhje që gati që dy muaj diskutojmë për mjegullën e krijuar nga eksponentët e Koalicionit PAN, thuajse kontrabanda e deputetëve është normale dhe se dikush do të votojë për qeverinë e tyre. Ju keni dëgjuar se ne, nga koalicion LDK, AKR Alternativa (LAA) çdo ditë nga disa herë jemi prononcuar se nuk ka deputetë të koalicionit tonë që do t’i japë votë PAN-it, nuk do t;i japim votë Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit dhe nuk do t’i japim votë zotit Haradinaj që të krijojë qeverinë me PDK-në.

Kjo është e qartë, e thjeshtë, e çka mbetet të shihet është seanca e 3 gushtit. Do ta shohin të gjithë se kjo mjegull ka pasur për qëllim bastardimin e skenës politike në Kosovë dhe degradimin e rregullës bazikë që veç partitë politike mund të krijojnë qeverinë.

PAN duhet të propozojë dikën tjetër për kryetar të Kuvendit dhe jo Kadri Veselin. Ata (deputetët e PAN-it) do të dështojnë për të krijuar qeverinë dhe pastaj koalicioni ynë (LAA) dhe Lëvizja Vetëvendosje do t’i mbledhë 61 nënshkrime që të vërtetojmë te Thaçi se jemi shumicë parlamentare.