Arbëri

IKSHPK-ja paralajmëron rikthim të masave nëse ka rritje të rasteve me COVID-19

22 persona nga 43 sa janë gjithsej të shtrirë në Klinikën Infektive me Covid-19 janë nën përkujdesje intensive dhe me oksigjenoterapi.

Sipas raportit të Klinikës Infektive, një paciente vazhdon të jetë në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar.

Mbrëmjen e së dielës, Kosovës i janë shtuar edhe 49 raste të reja me koronavirus. 22 prej tyre janë nga Komuna e Vushtrrisë, duke e çuar numrin në këtë komunë në 218 të infektuar, raporton KOHA.

Zyrtarë të Komunës thonë se gjendja është e menaxhueshme dhe se janë duke gjurmuar rastet e kontaktit.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Vushtrrisë, Sylejman Meholli ka treguar se i janë drejtuar Qeverisë së Kosovës për ndihmë.

Rritja e numrit të të infektuarve ditëve të fundit në të gjithë Kosovën, sipas drejtorit të IKSHPK-së, është si pasojë që qytetarët nuk u janë përmbajtur rekomandimeve të profesionistëve shëndetësorë.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ka thënë se nëse vazhdohet kjo rritje e të infektuarve, gjendja mund të kthehet në pikën zero.

Në Kosovë deri më tani janë konfirmuar me Covid-19 rreth 1 mijë e 500 raste, prej tyre 928 janë shëruar e 33 persona kanë vdekur.