Arbëri

IKSHPK-ja e quan të rrezikshëm fluksin e qytetarëve, rreziku s’ka kaluar

Foto: Koha / Ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike iu ka bërë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.

Përmes një postimi në Facebook ata kanë thënë distancomi fizik dhe mbajtja e maskave duhet të vazhdojë.

“Sot vërehet fluks i shtuar i qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandime të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajtën e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike”, thuhet në njoftim.

IKSHPK ka bërë thirrje për kujdes dhe shmangie të grumbullimeve.

Ata kanë lutur institucionet që mbajnë rendin dhe inspektoratet që të kenë angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim.

“Ju lutemi t’i respektoni masat e shpallura të parandalimit nga IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë. Ruajeni shëndetin tuaj, pakujdesia kushton me jetë. Akoma nuk ka kaluar rreziku andaj qëndroni në shtëpi, kjo ua shpëton jetën”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkohë që nga sot ka filluar lehtësimi i masave. Është zgjatur në tri orë orari i lëvizjes së qytetarëve. Këto masa do të zgjasin deri më 18 maj për të vazhduar më tutje me fazën e dytë.