Arbëri

IKD: Qeveria miratoi vetëm 20 prej 39 projektligjeve të parapara me planin legjislativ

Në raportin e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) të publikuar të enjten, “Pritje dhe rezultate utopike  (Analizë e punës 100 ditore të Qeverisë së Kosovës)”, thuhet se edhe pse Qeveria “Kurti II” sipas planit legjislativ të vitit 2021 ka paraparë që deri më 30 qershor 2021 të miratojë 39 projektligje, deri më tani është arritur që në Qeveri të miratohen vetëm 20 prej tyre.

Sipas IKD-së, pesë nga të lartpërmendurat janë marrëveshje me institucione ndërkombëtare, ndërsa nga këto propozime, Kuvendi i Kosovës deri më tani ka miratuar vetëm Projektligjin nr.08/L002 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr.04/L-123 të procedurës penale i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.06/L-091, raporton Betimi për Drejtësi.

Tutje, në raport thuhet se në Kuvend janë dërguar edhe 11 projektligje të tjera, nga të cilat në shqyrtim të parë ka kaluar vetëm njëri nga këto projektligje.

Sipas IKD-së, në mënyrë që Qeveria ta përmbushë agjendën legjislative deri në fund të këtij viti duhet të miratoj edhe 190 projektligje.

“Sipas programit legjislativ të Qeverisë “Kurti II”, vetëm gjatë muajve tetor (35) dhe nëntor (36) është planifikuar që Qeveria të miratoj 71 projektligje, në muajin qershor 33 projektligje, në muajin dhjetor 29 projektligje, 26 të tjera gjatë muajit shtator, 20 në muajin korrik, gjashtë (6) në muajin gusht, katër (4) në muajin maj dhe dy (2) projektligje në muajin prill.”, thuhet në raportin e IKD-së.

Tutje, sipas analizës, nga 191 projektligjet e propozuara të programit legjislativ, rezulton se 78 projektligje apo 40.83% e tyre janë ndryshime dhe plotësime të ligjeve, të cilat janë në fuqi, ndërsa 33 projektligje të programit legjislativ apo 17.27% derivojnë nga Agjenda për Reforma Evropiane (ERA – II).

“Po ashtu nga numri total i projektligjeve të parapara për tu miratuar në Qeveri për vitin 2021, IKD ka gjetur se 118 prej tyre janë projektligje, të cilat kanë qenë pjesë e planit legjislativ të vitit 2020 dhe pasi të njëjtat nuk kanë mundur të miratohen gjatë vitit 2020, ato janë përsëritur edhe në planin legjislativ të vitit 2021, ndërsa 73 projektligje tjera të propozuara, janë projektligje të reja.”, thuhet në raport.

Sipas IKD-së, nga këto 73 projektligje të reja, 33 prej tyre janë iniciativa për ndryshim dhe plotësim të ligjeve ekzistuese, ndërsa 15 të tjera kanë të bëjnë me marrëveshje ndërkombëtare dhe në këtë mënyrë rezulton se kabineti qeveritar “Kurti II”, ka propozuar 25 nisma të reja ligjore. Nga këto 25 projektligje thuhet se pesë (5) prej tyre janë projektligje të cilat parashihen me Agjendën për Reforma Evropiane (ERA – II), të cilat të gjetura të IKD-së tregojnë se nga 191 projektligjet e propozuara vetëm 20 nga to apo 10.47% e projektligjeve janë risi e planit legjislativ 2021.