Instituti i Kosovës për Drejtësi, gjatë publikimit të raportit për rastin e “veteranëve të rrejshëm”, ka theksuar se institucionet e drejtësisë kanë dështuar të mbrojnë buxhetin e Kosovës, duke mos obliguar palët të kthejnë mjetet e përfituara jashtëligjshëm.
Në raportin ”Drejtësia ‘amniston’ veteranët e rrejshëm, dëmton buxhetin e Republikës së Kosovës”, IKD-ja thotë se Prokuroria Themelore e Pejës dhe Gjykata Themelore nuk kanë përmbushur obligimet e tyre ligjore.
Sipas Gëzim Shalës, mosinteresimi i institucioneve për mbrojtjen e buxhetit është e papranueshme dhe dështim i madh i tyre.
Lidhur me këtë çështje, Instituti i Kosovës për Drejtësi u ka propozuar institucioneve të drejtësisë disa rekomandime. Sipas Driton Nocaj , prokurorët e shtetit duhet të kuptojnë drejt misionin e tyre përballë mbrojtjes së interesit publik.
Më 7 dhjetor të vitit 2018, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve. Ndërsa, lëndët e përfituesve të jashtëligjshëm të këtyre pensioneve ishin bartur nga Prokuroria Speciale nëpër prokuroritë themelore, që secila t’i trajtojë, varësisht prej juridiksionit të saj.