Arbëri

IKD-ja s’pret rezultate në të ardhmen e afërt nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë

Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se nuk pritet të ketë rezultate në një të ardhmen të afërt nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme për shkak të procedurave të tejzgjatura.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, me mbështetjen e atyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të enjten miratuan në lexim të dytë Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme. Por Shala nuk pret që kjo Byro të nisë punën në një periudhë të afërt.

“Nëse i referohemi dispozitave kur mund të hyjë në fuqi, nuk mund të themi se në të ardhmen e afërt do të kemi rezultate konkrete. Sipas drafit të fundit që e kemi parë, hyrja në fuqi do të bëhet gjashtë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare. Pastaj, Byroja do të ketë edhe një vit derisa të funksionalizohet, zgjedhja e drejtorit, anëtarëve e të tjera. Më pas do duhet të caktohen rastet me të cilat do të merren, e më pas të fillojë hetimi. Hapi i fundit është ta çojnë në Gjykatë. Është periudhë e gjatë”, ka thënë Shala në “60 Minuta” të KTV-së.

Sipas tij, është e pakuptueshme pse janë vënë disa afate të tepruara kohore. Përmend hyrjen në fuqi gjashtë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare si një “afat të tepruar”.

Shala ka thënë se afati më i shpejtë teorikisht deri në vendimin e parë për konfiskim të pasurisë mund të jetë tre vjet, por ka shtuar se kjo është shumë optimiste.

“Byroja nuk duhet të funksionojë mbi emrat e paracaktuar të zyrtarëve të cilët do t’i hetojë. Duhet të respektohet ligji. Qasja duhet të jetë ligjore. Të mos targetohen zyrtarët e paracaktuar. Nuk duhet të krijohet ideja se Byroja do të funksionojë me një listë nga emrat e paracaktuar”, ka thënë ai.

Ai ka kritikuar që zgjedhja e drejtorit të Byrosë mund të bëhet me shumicën e thjeshtë në Kuvend. Kjo, sipas tij, mundëson që udhëheqësi i Byrosë mund të jetë politik.

“Nuk duhej që zgjedhja e drejtorit të kësaj Byroje të bëhet me shumicën e thjeshtë në Kuvend, pasi ka mundësi të ketë zgjedhje politike, pasi secila qeveri në pushtet e ka shumicën e thjeshtë”, ka thënë Shala.