Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

IKD: Gjobat e KPM-së për shkeljet e medieve janë të kundërligjshme

ikd

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka konstatuar se gjobat që Komisioni i Pavarur i Mediave i ka shqiptuar ndaj mediave janë të kundërligjshme.

Sipas raportit me titull “Kur rregullatori shkel rregullat: Kundërligjshmëria e gjobave të KPM-së ndaj shkeljeve të mediave”, i cili të martën është prezantuar në një konferencë për media, gjobat që janë dhënë nga KPM-ja për shkeljet e pretenduara gjatë zgjedhjeve të vitit 2025, janë të kundërligjshme pasi janë marrë shumë kohë pas afateve të përcaktuara nga Rregullorja KPM me numër 2024/03.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Sa u përket vendimeve lidhur me fushatat e proceseve zgjedhore për Rregulloren KPM-2024/03 gjatë vitit të kaluar, ato janë marrë jashtë afateve të posaçme të përcaktuara me po këtë Rregullore. Kjo Rregullore parasheh afate shumë të shkurta: shqyrtim fillestar brenda katër orëve, përgjigje nga media brenda 24 orëve, shqyrtim pas përgjigjes brenda 24 orëve dhe vendim të KPM- së brenda pesë ditëve gjatë fushatës së rregullt, përkatësisht brenda 60 orëve në zgjedhje të jashtëzakonshme”, thuhet në raport.

Tutjet thuhet se këto afate janë vendosur sepse shkeljet gjatë fushatës kanë efekt të menjëhershëm dhe duhet të trajtohen në kohë reale.

Tutje në raport thuhet se të gjitha vendimet përfshirë ato për fushatat zgjedhore të vitit të kaluar dhe ato për fushatën e zgjedhjeve të parakohshme të këtij viti, janë pa efekt juridik dhe të paligjshme për shkak të procedurës vendimmarrëse. 

“Rregullorja për trajtimin e ankesave e bën rekomandimin e Zyrës Ekzekutive pjesë të domosdoshme të procedurës. Mirëpo, KPM funksionon me ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv që nga 2 korriku 2021. Fillimisht këtë pozitë e ka ushtruar Faruk Rexhaj, ndërsa nga 24 shtatori 2024 Niman Racaj. Edhe sipas variantit më të favorshëm ligjor, pozita nuk mund të mbahet me ushtrues detyre më gjatë se dy vjet. Kjo periudhë ka skaduar më 2 korrik 2023”, thuhet në raport, ku shtohet se pas kësaj date, pozita është mbajtur në kundërshtim me ligjin.

Në raport theksohet se përbërja e re e KPM-së është votuar nga Kuvendi më 24 prill 2026 dhe pas funksionalizimit u është kthyer rasteve të akumuluara nga fushatat zgjedhore të vitit paraprak dhe ka shqiptuar gjoba e vërejtje ndaj mediave kryesisht për shkelje të pretenduara të Rregullores KPM-2024/03.

“Me përbërjen e re, pas zgjedhjes së kryesisë, KPM ka mbajtur katër (4) mbledhje, ku ka shqyrtuar 62 raste ligjore, duke shqiptuar sanksione në 59 prej tyre. Nga këto 59 sanksione, në 31 raste janë shqiptuar gjoba në vlerë totale prej 67,000.00 euro, ndërsa në 28 raste janë shqiptuar vërejtje. Në dy mbledhjet e para, KPM shqyrtoi rastet lidhur me proceset zgjedhore të vitit të kaluar, ku shqiptoi 46 sanksione. Prej tyre, 21 me gjoba në vlerë totale prej 43,000.00 euro dhe 25 me vërejtje. Ndërsa, në dy mbledhjet pasuese, KPM shqyrtoi rastet lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026. Në këto dy mbledhje pasuese, KPM shqiptoi 13 sanksione, 10 prej tyre me gjoba në vlerë totale prej 24,000.00 euro dhe 3 vërejtje”, thuhet në raport. 

Raporti i IKD-së është prezantuar zëvendësdrejtori  ekzekutiv i IKD-së, Betim Musliu; hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala dhe drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj.

Në një komunikatë për media të IKD-së thuhet se Miftaraj në konferencë ka vlerësuar se situata me KPM sa i përket gjobave, është pasojë e dështimit institucional.

Ai thuhet se ka përmendur në radhë të parë Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se nuk e ka mbajtur KPM-në me kuorum. “Derisa, shtoi se përgjegjësia bie edhe mbi KPM, e cila nuk e ka zgjedhur kryeshefin ekzekutiv të Zyrës Ekzekutive të KPM-së, por këtë pozitë po e mban me ushtrues detyre”, thuhet në komunikatë.