Që nga paslufta e deri tash janë mbi 15 mijë lëndë të pazgjidhura vetëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Prej tyre shumica janë lëndë civile.
Kështu u tha në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave gjatë shqyrtimit të raporti të auditimit për efikasitetin e menaxhimit të lëndëve civile në Gjykatat Themelore për vitin 2017.
Kryetari i komisionit, Driton Selmanaj, tha se numri i madh i lëndëve të pazgjidhura dhe të gjeturave tjera është shqetësuese dhe tregon se në spektrin menaxherial s’ka funksionuar ky sistem, derisa ka shtuar se pagat dhe kushtet fizike tashmë janë mjaft të mira për gjyqtarët.
“Me pritë dikush prej vitit 1999, ose dhjetë vjet për një lëndë civile, normalisht që për neve paraqet shqetësim dhe të shohim se si mundemi me tejkaluar këtë, nëse janë problem resurset ose është problem forma se si po menaxhohet apo ku është problemi?”, theksoi Selmanaj.
Anëtari i Komisionit, Avdullah Hoti, ka thënë se të gjeturat në Gjykatat Themelore, në Prishtinë, në Pejë dhe në Gjilan, problemi është kategorizimi i lëndëve dhe përgatitja e zyrtarëve për mbështetësit e gjyqtarëve. Ai tha se kohëzgjatja e zgjidhjes së lëndëve është një problem edhe më i madh, ngase sipas tij, në Themeloren e Prishtinës një lëndë merr kohë gati gjashtë vjet për t’u përfunduar, ndërsa në Gjykatën Themelore në Gjilan tri vjet, në Gjykatën Themelore në Pejë merr kohë një vit e tre muaj.
Edhe
Mbi 15 mijë lëndë presin zgjidhje në Themeloren e Prishtinës
“Te lëndët e pazgjidhura, këtu është pika më problematike, statistikat tregojnë që në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për periudhën ’99-2016, janë mbi 15 mijë lëndë të pa zgjidhura. Problemi është se po rritet trendi, po rritet numri i lëndëve të pa zgjidhura nga viti në vit. Sigurisht se numri i gjyqtarëve është i pakët aty, që tregohet edhe me numrin e lëndëve të pazgjidhura për gjyqtar, që del të jenë rreth 600 lëndë të pa zgjidhura për një gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Në Pejë, është më pak e ngarkuar, por prap ka shumë lëndë, janë 1 mijë e 855 lëndë të pazgjidhura. Edhe këtu është trendi i rritjes së lëndëve të pazgjidhura, dhe janë rreth 310 lëndë të pazgjidhura për një gjyqtar’, theksoi Hoti.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor Nehat Idrizi, ka pranuar se sfida më e madhe është numri i madh i lëndëve të pazgjidhura, por që theksoi se reformat e shpeshta në sistemin e drejtësisë po e dëmton procesin gjyqësor dhe mungesa e stafit mbështetës.
Ai pranoi se numri më i madh i lëndëve të pa zgjidhura është në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndërsa në komuna tjera gjendja është më stabile.
“Sfida më e madhe dhe mos besueshmëria e publikut, si dhe një ndër faktorët kryesor është zvarritja apo stërzgjatja e proceseve gjyqësore. Për fat të keq kjo gjendje është vetëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës, për shkak se është edhe kryeqendër dhe numri më i madh gjendet në këtë gjykatë. Nëpër gjykatat tjera, gjendja është më stabile dhe lëndë nuk presin, p.sh. në Gjilan 3 vjet, në Pejë një vit e gjysmë, për dallim nga Prishtina që është katër vite e më tepër. Gjyqtarët, fillimisht dhe aktualisht tani nuk kanë staf të mjaftueshëm mbështetës, janë disa bashkëpunëtorë profesional, por ai numër është shumë i kufizuar. Pjesa dërmuese e gjyqtarëve punojnë me një daktilografi ose sekretare juridike dhe staf tjetër mbështetës nuk ka”, ka thënë Idrizi.
Ai ka treguar edhe për numrin e përgjithshëm të lëndëve të pa zgjidhura. Idrizi ka pranuar se mund të kenë të meta edhe gjyqtarët për shkak të mos menaxhimit jo të mirë të lëndëve.
“Për vitin 2017, nga 407 mijë lëndë që kanë qenë në muajin janar, është zbritur në 307 mijë, që i bie se diku rreth 92 mijë lëndë janë më pak në vitin 2018 në raport me vitin e kaluar. Ka përmirësime, por nuk do të thotë që jemi të kënaqur me këtë numër aktual të madh”, ka thënë Idrizi.
Shqipe Pantina, anëtare e Komisionit, deklaroi se në një shtet ku nuk funksionon sistemi gjyqësor, e ka të pamundur të mendoj një qytetar të ardhmen e tij. Andaj sipas saj, sistemi i drejtësisë tregon gjendjen e aktuale në Kosovë në të gjitha fushat, ndër to edhe në ekonomi.
Edhe
Mbi 66 mijë lëndë të pazgjidhura në Gjykatën Themelore të Prishtinës
“Në një shtet ku nuk funksionon sistemi i drejtësisë, ‘dorën në zemër’ e gjithë shoqëria, gjithë shteti e ka pastaj në një farë mënyre ekzistencën e vet në pikëpyetje, sepse nëse nuk i garantohet qytetarit drejtësia, atëherë çfarë do çështje tjetër e bënë më të vështirë jetën e tij në atë shoqëri. Ne po vuajmë shumë për shkak të mungesës së zhvillimit ekonomik, e një nga arsyet pse nuk kemi zhvillim ekonomik është për shkak se nuk kemi investime të huaja. E një nga arsyet pse nuk kemi investime të huaja, është sepse shumica e lëndëve civile janë edhe konteste, ku njëra palë mund të jetë biznes”, ja thënë Pantina.
Komisioni për Mbikëqyrje Fiannciare, ka shqyrtuar edhe raportin e auditimit të Efektivitetit të Sistemit Informativ të Tatimit në Pronë.