Opozita në Komunën e Vitisë ka kërkuar mbulimin e përroskës në rrugën “Kongresi i Manastirit” dhe shndërrimin e saj në rrugë për qarkullim automjetesh.
Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, krijimi i hapësirës për qarkullim të automjeteve në rrugën “Kongresi i Manastirit” është i domosdoshëm ngase në këtë mënyrë do të shmangej lëvizja e veturave nëpër qendrën e qytetit, shkruan sot “Koha Ditore”. Mirëpo Komuna i është përgjigjur negativisht kësaj kërkese ngas vlerësojnë se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për të investuar në ndërtimin e infrastrukturës në atë pjesë të qytetit.
Shoqëria civile në këtë komunë me një komunikatë për media ka kërkuar nga Komuna zbatimin e planit të mobilitetit, e cila parasheh që qendra e Vitisë të shfrytëzohet si shesh dhe hapësirë e lirë për qytetarët. Është kërkuar nga Komuna që të investojë në ndërtimin e infrastrukturës urbane.
“Duhet të bëhen ndryshimet e kërkuara prej dekadash nga qytetarët e Vitisë që rruga “Adem Jashari” të bëhet shesh pasi i plotëson të gjitha kushtet për një gjë të tillë, bazuar edhe në Planin e Mobilitetit”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)