Arbëri

Ideja për statusin e eksterritorialitetit të objekteve fetare ortodokse, sfidë për Kosovën në dialog

Pos “obligimeve nga e kaluara”, siç është krijimi i Asociacionit, një sfidë e re pritet të paraqitet për Kosovën në dialog, për të po flitet gjithnjë e më shumë në qarqet diplomatike. Fjala është për idenë që kishave ortodokse serbe në Kosovë t’u jepet një status edhe më i veçantë, në formë të një lloj eksterritorialiteti

Prioritet apo jo, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel është një sfidë e madhe që e pret Qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Java e parë paszgjedhore ka ndihmuar që edhe në Bashkimin Evropian ta kuptojnë se çfarë mendon lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kur thotë se dialogu “nuk është në mesin e prioriteteve kryesore”.

Pas sqarimeve të Kurtit se pas pandemisë së COVID-19, krijimit të vendeve të punës dhe drejtësisë, dialogu do të jetë prioritet, paksa janë qetësuar edhe në Bruksel, ku pakkush mund të gjejë arsye që dialogu i cili ka hyrë në vitin e dhjetë të jetë më prioritet sesa lufta kundër pandemisë.

Fundi i fundit edhe për BE-në prioritetet kryesore janë pandemia, vaksinimi, rimëkëmbja e ekonomisë pas pandemisë, ndërsa dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është prioritet i atyre që e kanë përshkrim të vendit të tyre të punës në strukturat e Bashkimit Evropian.

Por, përkundër prioriteteve të tjera, për të cilat BE-ja ka mirëkuptim dhe thotë se do ta ndihmojë në përballje me to Kosovën, dialogu nuk do të duhej të ngecte dhe ai do të duhej të vazhdonte posa të formohet Qeveria dhe të zgjidhjet presidenti.

Edhe në komunikatën e parë të lëshuar pas zgjedhjeve në Kosovë, dy zyrtarët e lartë të BE-së, përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, dhe komisari për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Verhely, kanë përmendur dialogun dhe pritjet që Kosova të jetë e përkushtuar për pjesëmarrje konstruktive në të.

“Rruga evropiane e Kosovës po ashtu shkon edhe përmes normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve me Serbinë, dhe BE-ja pret nga autoritetet në Prishtinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim të vazhdimit të takimeve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe ta shfrytëzojnë rastin që kanë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhej në këtë komunikatë.

Në kohën kur në Kosovë po pritet përmbyllja e procesit zgjedhor, përfshirë procedurat e verifikimit të votave dhe certifikimit të rezultateve, në Bruksel po vazhdon procesi për vazhdimin e mandatit të Miroslav Lajçakut në postin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialog. Lajçakut mandati i skadon në fund të muajt mars dhe pritet që ai t’i vazhdohet diku edhe për një vit e gjysmë. Edhe kërkesa që atij t’i vazhdohet mandati për më shumë se një vit, pasi tashmë ka mbaruar mandatin njëvjeçar, në një mënyrë flet se as Bashkimi Evropian nuk është duke nxituar shumë në dialog dhe se arritja e marrëveshjes nuk shihet më si “çështje muajsh e jo vitesh”.

Lajçak dhe BE-ja tash thonë se “nuk do të ketë afate artificiale kohore”.

Lajçak pritet që së shpejti, në fillim të muajt mars, ta vizitojë rajonin, përfshirë edhe Kosovën. Ai në Prishtinë tash do të ketë një fitues të qartë të zgjedhjeve me të cilin mund të bisedojë për vazhdimin e dialogut. Por në BE thonë se pos Prishtinës janë në pritje të sqarimit të pozicioneve edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth vazhdimit të dialogut dhe prioriteteve që do të kenë brenda atij dialogu.

Diplomatët e BE-së në Bruksel pohojnë se nga administrata e Bidenit kanë marrë sinjale se do ta kenë mbështetjen e plotë amerikane për dialog, dhe mbështetjen e plotë po ashtu që BE-ja të jetë lehtësuese kryesore e tij. Por ende nga Washingtoni nuk kanë sqarime se cili do të jetë fati i asaj që ishte quajtur “Marrëveshje” mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në fund të mandatit të presidentit Trump.

Sa u përket kërkesave amerikane që “njohja e ndërsjellë të jetë në qendër të dialogut si qëllim”, shumica e diplomatëve në Bruksel që i ka kontaktuar KOHA kanë thënë se “ky është qëllimi edhe i BE-së”, por kanë shtuar se “nuk mund të pritet që dikush në emër të BE-së ta thotë këtë publikisht për shkak të pesë shteteve, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën”. Por nëse është për t’u besuar, këta diplomatë thonë se “ky mesazh i është dhënë qartë edhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

Kur të vazhdojë dialogu, atëherë Kosova do të jetë para një sfide të re. Sipas disa burimeve të ndryshme diplomatike, ndaj Kosovës së pari do të bëhet presion që të zbatojë sa më shpejt Marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Dhe këtë e shohin si “obligim të vjetër, të pazbatuar”, e jo si ndonjë kërkesë të re ndaj Kosovës. Edhe rreth krijimit të këtij asociacioni pritet të ketë interpretime të ndryshme se si duhet të zbatohet dhe si duhet në këtë drejtim të merren parasysh vlerësimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Prandaj edhe këtu pritet të shihet se cili do të jetë qëndrimi i administratës amerikane. Në BE madje besojnë se, po të ketë mbështetje amerikane, në Kosovë mund të ndërtohet një konsensus i brendshëm, pasi këtë marrëveshje e kishin bërë dy qeveritë nga e kaluara që tash pritet të jenë në opozitë, ndërsa “Qeveria e re duhet të tregohet serioze dhe të zbatojë obligimet që i ka marrë Kosova në të kaluarën”. E kjo marrëveshje ishte arritur në kohën e administratës Obama, ku Bideni ishte zëvendëspresident.

Serbia ka insistuar se ajo që ata e quajnë “Bashkësia e komunave serbe” të formohet sipas Marrëveshjes së Brukselit, e jo sipas Gjykatës Kushtetuese. Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti kishte refuzuar një qasje të tillë e madje kishte refuzuar edhe të diskutohet kjo çështje, vetëm disa ditë pasi ishte pajtuar që ajo të jetë ndër temat e dialogut.

Vetë Lajçak kishte krijuar më shumë konfuzion rreth kësaj duke deklaruar në Beograd se Kushtetuta e Kosovës “mund të ndryshohet sepse nuk është Bibël”. Më vonë ai e ka sqaruar këtë duke thënë se, pasi të arrihet marrëveshja mes palëve, atëherë të dyja vendet duhet ta përshijnë këtë në rendin e tyre përkatës kushtetues.

Pos “obligimeve nga e kaluara”, siç është krijimi i Asociacionit, një sfidë e re pritet të paraqitet për Kosovën, e për të po flitet gjithnjë e më shumë në qarqet diplomatike. Fjala është për idenë që kishave ortodokse serbe në Kosovë t’u jepet një status edhe më i veçantë, në formën e një lloj eksterritorialiteti.

Diplomatët besojnë se, në rast të krijimit të Asociacionit dhe pajtimit për “rritjen e mbrojtjes së objekteve fetare ortodokse serbe” mund të arrihet edhe anëtarësimi i Kosovës në OKB.

Pasi dialogu ka qenë shumë jotransparent deri tash, jo vetëm ndaj qytetarëve, por edhe ndaj disa shteteve anëtare, nuk është ende e qartë se kush qëndron prapa cilave ide dhe cilat kanë qenë në tryezën e bisedimeve e cilat jo. Nuk ka dyshim se deri në verë ishte folur shumë për idenë e shkëmbimit të territoreve, ide të cilën e kishin shtyrë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kjo ide madje kishte marrë një “mbështetje të konsiderueshme në BE dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, por kjo mbështetje ishte zbehur pas kundërshtimit të madh të Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, si dhe të opinionit në Kosovë. Por ende ka diplomatë në Bruksel që pohojnë se “kjo ide nuk është ende e vdekur” dhe se “disa shtete nga niveli i lartë janë ende të hapura ndaj kësaj ideje nëse për këtë do të pajtoheshin palët”.

Në këtë mënyrë, kur të vazhdojë dialogu, do të ketë shumë sfida përpara, me shumë pikëpyetje edhe pas dhjetë vjetësh prej kur ai kishte nisur.