Analisti politik, Ilir Ibrahimi, ka kritikuar qasjen e LVV-së dhe LDK-së në përpjekjet e tyre për marrëveshje.
Përmes një postimi në Facebook, Ibrahimi ka shkruar se të dy partitë janë nisur nga qasja e arrogancës dhe lakmisë për pushtet.
“Nëse do të kërkonim t’i përkufizojmë se çfarë i ka karakterizuar negociatat ndërmjet LVV dhe LDK për formimin e qeverisë do të mund ta përmblidhnim me dy fjalë- arroganca dhe lakmia. LVV që në mbrëmjen e ditës së zgjedhjeve ka pasur një qasje arrogante, sikur të kishte fituar 51% të votave ndërkohë që LDK, e vetëdijshme për pozicionin e mirë negociator, është munduar që të zhvasë sikur të ishte fituese e zgjedhjeve”, shkruan ai në facebook.
Me këtë qasje, thotë Ibrahimi, të të dyja subjekteve politike s’do mend se nuk do të mund të arrihej ndonjë marrëveshje, e lërë më ndonjë qeverisje ashtu siç e kishte kërkuar votuesi me 6 tetor.
“Se me një qasje të tillë nuk mund të arrihet një marrëveshje e kanë ditur edhe Kurti e Mustafa. E kjo na qon në përfundimin logjik se asnjëri nuk kanë dashur të bëjnë marrëveshje dhe të qeverisin bashkë. Kurti nga frika e qeverisjes dhe e sfidave që ka përpara e Mustafa nga frika se në një qeverisje të udhëhequr nga Kurti, LDK e tij me shumë plasaritje të brendshme do të venitej edhe më tej. LVV është fituese e zgjedhjeve dhe ka mandatin për formimin e institucioneve. Dështimi për të bërë një gjë të tillë e bën atë fajtoren kryesore dhe kjo duhet të thuhet qartë dhe pa ekuiovoke. LVV nuk mund të fshihet pas asaj se ne deshëm por nuk gjetëm partner. Kompromisi dhe gjetja e partnerëve është pjesë e lojës në të cilën tani rolin udhëheqës e ka LVV dhe ajo duhet të mësojë të luajë në këtë valle”, thotë Ibrahimi.
LDK, thotë tutje ai, nëse nuk e ndien veten rehat në një qeverisje me LVV duhet ta thotë haptas dhe të hapet rrugë për kombinime të tjera.
“Po shihet dhe dëshmohet edhe një herë se vënia e vijave të kuqe në politikë ( sidomos në politikën kosovare) është më tepër një dëshirë se sa qëndrim pragmatik politik. Qofsha I gabuar do të thoshte dikush”, përfundon Ibrahimi.
Aktualisht, sipas partive në negociata, janë dy skenarë për seancën konstituive. Skenari i parë është ai i konstituimit të këtij institucioni, por që do ta komplikonte edhe më shumë arritjen e marrëveshjes për qeverinë, kurse i dyti, ai i shpalljes së pauzës deri në arritjen e marrëveshjes LVV-LDK. Skenari i dytë ishte aplikuar më 2014, kur konstituimi i Kuvendit kishte zgjatur me muaj.
Kushtetuta e Kosovës e përcakton që Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar në momentin kur nga radhët e veta zgjedh kryetarin dhe pesë nënkryetarët (Kryesinë e Kuvendit). Bazuar në Kushtetutë, kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Kurse tre nënkryetarët, të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përderisa dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Kuvendi ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitet tjera joshumicë.