Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve kanë vënë në alarm institucionet në Kosovë, për shkak të rrezikut të shtuar për zjarre dhe ndikimit negativ në bujqësi. Në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave paralajmërojnë për rritje të rrezikut nga vatrat e reja, ndërsa ekspertët e bujqësisë theksojnë dëmin që u shkaktohet kulturave bujqësore
Moti me temperatura të larta e pa reshje atmosferike ka ngritur shqetësime. Në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave kanë thënë se i kanë ngritur kapacitetet për shkak të rrezikut që mund të ketë vatra të mëdha të zjarreve.
Drejtori i AME-së, Genc Metaj, ka thënë se momentalisht janë dy zjarre aktive me të cilat po përballen zjarrfikësit.
“Aktualisht si vatër më serioze është në Gjurgjicë të Drenasit dhe Balincë të Malishevës, në ato malet. Mirëpo, zjarrfikësit e Drenasit dhe Malishevës kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin”, ka thënë ai.
Metaj ka thënë se shumica e zjarreve po shkaktohen nga njerëz të papërgjegjshëm. Si shembull ai ka përmendur një rast në Viti.
“Ka raste kur përsëriten zjarret disa herë. Po e potencoj një rast në Terpezë të Vitisë, vetëm për një periudhë shumë të shkurtër ndoshta brenda dy jave mbi 10 herë është ndezë i njëjti park te Pishat e Tërpezës dhe fatkeqësisht ende nuk e kemi asnjë person të arrestuar”, ka deklaruar ai.
Në Polici kanë thënë që gjatë pesë muajve të parë të këtij viti janë iniciuar 58 raste për veprën penale “zjarrvënia”. Për muajin qershor dhe javën e parë të korrikut, Policia nuk ka të dhëna.
Vitin e shkuar Policia hapi 254 raste për këtë vepër penale.
Profesori në Fakultetin e Bujqësisë, Imer Rusinovci, thotë se thatësia që po mbizotëron, ndikimin më të madh e ka në kulturat bujqësore që janë mbjellë në pranverë. Veçanërisht te misri.
“Në disa ngastra ose zona të caktuara nuk do të kalohet as minimumi biologjik të prodhimtarisë së misrit, e normalisht që kjo do të çoj në import të kulturës së misrit që është çelësi i zhvillimit të bujqësisë dhe të ushqyerit e kategorive të shumta të kafshëve shtëpiake, në hartimin ose përpilimin e racioneve ushqyese të tyre: silazhe e tjera të ngjashme”, ka thënë ai.
Rusinovci thotë se mungesa e të reshurave në këtë periudhë u konvenon vetëm kultivuesve të grurit.
“Por që për grurin që aktualisht ndodhet në fushatën e korrje-shirjeve këto reshje, po të ishin do të ishin të dëmshme sepse ulë hektolitin dhe zbrit rendimentin e miellit”, ka thënë profesori Rusinovci.
Të shtunën pasi u shua një zjarr i madh në kodrën e Goleshit, ministri i Brendshëm në Detyrë, Xhelal Sveçla mori vendim për ndalimin e të gjitha zjarreve, përfshirë edhe ato rekreative në piknikë e edhe ndezjen e fishekzjarrëve.
KOHA ditë më parë ka raportuar se këtë vit është shënuar qershori më i thatë në 100 vjetët e fundit në Kosovë.
E para dy javësh, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se lumenjtë kryesorë kanë rrjedha nën mesataren e tyre.