Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hyseni në Lyon në selinë e INTERPOL-it, votimi për anëtarësim në shtator

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, është pritur sot në një takim zyrtar nga Sekretari i Përgjithshëm Jurgen Stock, në selinë e INTERPOL-it në Lyon të Francës.

Sipas njoftimit zyrtar të MPB-së, Hyseni dhe Stock kanë zhvilluar një bisedë të gjatë dhe përmbajtjesore lidhur me aplikimin për anëtarësim të Kosovës në këtë organizatë.

Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it në takimin e fundit të mbajtur nga 31 maj – 2 qershor 2017 kishte vendosur që kërkesën për anëtarësim në INTERPOL të Republikës së Kosovës ta përfshijë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të 86-të e cila do të mbahet në Pekin të Kinës nga 26-29 shtator 2017.
 

Këshilltari ndërkombëtar Hans Corell, i cili ishte emëruar për të udhëhequr një studim rreth procesit të anëtarësimit në INTERPOL, ka finalizuar punën e tij dhe tashmë raportin ia ka dorëzuar Komitetit Ekzekutiv. Bazuar në këtë raport, Komiteti Ekzekutiv do t’i paraqesë Asamblesë së Përgjithshme për aprovim një kornizë të udhëzimeve për procesin e anëtarësimit. Pas aprovimit të këtyre udhëzimeve, në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it në Kinë pritet të votohet kërkesa e Kosovës për anëtarësim.

Gjatë takimit Sekretari Stock dhe Ministri Hyseni i cili shoqërohej edhe nga Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, trajtuan edhe shumë çështje tjera të bashkëpunimit dhe komunikimit të drejtpërdrejt midis INTERPOL-it dhe institucioneve të rendit dhe ligjit në Kosovë, mbi të gjitha me Policinë e Kosovës.