Arbëri

Hykmete Bajrami flet për “skandalin 3.5 milionë eurosh në AKP”

Hykmete Bajrami

Deputetja e LDK-së dhe ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në seancë në Kuvend ka folur për një skandal “3.5 milionë eurosh në AKP”.

Bajrami ka thënë se më 30 dhjetor të vitit të kaluar nga llogaria e AKP-së janë ekzekutuar 3.5 milionë euro, me urdhër të një gjykate që nuk ishte kompetente.

“Janë ekzekutuar 3.5 milionë euro nga xhirollogaria e mirëbesimit, fonde të AKP-së, që qëndrojnë në Bankën Qendrore të Kosovës. Po e them janë ekzekutuar nga një gjykatë jokompetente dhe përmbarues. E dimë të gjithë që për çështje të privatizimit është ekskluzivisht Dhoma e Posaçme pranë Gjykatës Supreme. Këto 3.5 milionë euro janë ekzekutuar me urdhër të gjykatave tjera. Krejt çka kemi parë është se ministrja e Drejtësisë ka suspenduar një përmbarues privat me kërkesë të AKP-së në lidhje me këtë rast”, ka thënë Bajrami. “Sipas informatave që kemi AKP-ja ka reaguar dhe prokuroria ka arritur t’i bllokojë 2.1 milionë euro. Mirëpo, fondet e AKP-së që janë disbursuar tani në llogari të gjykatësve dhe prokurorëve janë 1.4 milionë euro”.

Bajrami ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit, komisionet funksionale dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që të marrin informata sa më shpejtë dhe të dalin me emrat e “gjykatësve, gjykatave dhe përmbaruesve”, e po ashtu me hapat që do të ndërmerren.

Përmbaruesi privat Ilir Mulhaxha, vëllai i deputetues Fatmire Kollçaku Mulhaxha, është suspenduar më 10 janar nga Ministria e Drejtësisë në lidhje me këtë rast. Suspendimi erdhi pas ankesës së AKP-së.

Ai kishte ekzekutuar urdhër të përmbarimit në fund të vitit të kaluar nga llogaria e ndërmarrjes “NewCo Llamkos Steel” (në likuidim) në Bakën Qendrore të Kosovës.

Është konstatuar se ka bërë shkelje flagrante të dispozitave ligjore dhe akteve juridike përkatëse.

“Sot, në kuadër të kompetencave ligjore kam marrë vendim për suspendimin e përmbaruesit privat Ilir Mulhaxha. Ky vendim është marrë pas kërkesës së AKP-së për inicimin e procedurës disiplinore ndaj permbaruesit privat, mbi bazën e shkeljeve ligjore të pretenduara. Andaj, për t'u siguruar që procedura disiplinore zhvillohet pa pengesa dhe pa asnjë ndikim, kam marrë vendim siç përcaktohet në dispozitiv. Nuk mund të tolerojmë që mbi kurrizin e interesit të përgjithshëm të realizohen interesa të kundërligjshme personale”, kishte thënë ministrja Haxhiu.