Aktivistja Besa Luzha ka deklaruar se partitë politike po e shfrytëzojnë këtë situatë politike për të kalkuluar mbi zgjedhjet lokale dhe zgjedhjen e presidentit.
Ajo ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se partitë do të duhej të zgjidhnin një qeveri teknike që të tejkalohej ky proces.
“Këto subjekte politike po rrinë në pozicion si duke u ruajtur, si frikë reale. Ata po e kalkulojnë me analiza të tyre që nëse votojnë, a zbresin apo rriten. Meqë s’po e vendos si kërkesë kryeministri, duhet të thotë ‘ejani të bëjmë diçka teknike ku as unë e as ky tjetri s’po zgjidhet kryeministër’. Por, janë disa teknikë dhe të kalojmë tutje”, ka thënë Luzha.
Kuçi: Opozita mund ta bëjë qeverinë, por s'po do - Kurti po do, por s'po mundet
Natyra Kuçi nga partia Socialdemokrate ka deklaruar se partitë që deri në legjislaturën e fundit kanë qenë në opozitë mund ta bëjnë qeverinë.
Ajo ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se ato parti nuk po dëshirojnë të bëjnë qeverinë, derisa shtoi se Lëvizja Vetëvendosje dëshiron ta bëjë qeverinë por s’po mundet.
“Opozita mund ta bëjë qeverinë me pak përpjekje, por s’po do. Dhe e kemi Kurtin që po do, por s’po mundet. Do ta ishte e rëndësishme që Kurtit t’i kalonte afati prej 15-ditësh pas zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe të tregohej që s’i ka numrat dhe të bashkohej opozita me minoritetet joserbe dhe me Rashiqin, e me numrat që i ka opozita, mund ta formojë qeverinë”, ka thënë Kuçi.
Shtufi: Ofertat e Kurtit për tejkalim të ngërçit janë të pasinqerta
Publicisti Pal Shtufi vlerëson se ofertat e kryeministrit në detyrë Albin Kurti për ta tejkaluar ngërçin politik në vend janë të pasinqerta.
Shtufi në “Konfront” të KTV-së ka thënë se po dihet tashmë se kush po e bllokon konstituimin e Kuvendit dhe institucioneve.
“Marrëveshja është patriotizëm, ndërgjegje morale...është gjithçka. Pa atë je vetëm një egoist...Sot ka pasur takim, ka pasur oferta të ndryshme prej që e kemi këtë gjendje. Ofertat e Albinit janë absolutisht të pasinqerta. Është si ajo thënia ‘po kërkoj punë, por po e lus Zotin mos me gjet’. Këtij i konvenon kjo gjendje. Ai e do këtë situatë apo pushtetin absolut. Është e qartë”, ka thënë Shtufi.
Ai ndërkohë ka thënë se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me propozimin që ka bërë për një qeveri gjithpërfshirëse ka heq dorë nga çdo kërkesë që kishte fillimisht. Dhe me këtë “ai ka nxjerrë në shesh tash se kush po bllokon”.
Hoxha: Deklaratat e liderëve politikë nuk i besojnë as ata vetë
Ai ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se takimi i sotëm mes subjekteve politike dhe me presidenten Vjosa Osamni, ishte i mirëseardhur “por s’ka pritje për të dalë nga kjo situatë”.
“Takimi i sotëm dhe të tjerat që mund të ndodhin i shoh të mirëseardhura, por s’kam pritje se do të jenë faktorë për të dalë nga kjo situatë problematike. Po besoj që gjitha këto probleme e ditëve të fundit rreth procedurave e kohës e aspekteve formale janë problematike, por s’janë kriza e vërtetë. Këto janë simptoma të krizave të tjera shoqëror. S’kemi mekanizma shoqëror për të siguruar dhe gjetur zgjidhje, për ë tejkaluar krizën”, ka deklaruar Hoxha.