Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka kërkuar që të shtyhet vendimi për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë, duke thënë se e respekton Kushtetutën, por se “nevojitet kohë që serbët të mësohen me këtë”.
Pas takimit me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ambasadori Hovenier është shprehur se BQK-ja e ka autoritetin e plotë për vendime të tilla, por që zbatimit i vendimit duhet të shtyhet.
“Së pari besoj se këtë vendim e ka marrë Banka Qendrore e Kosovës e cila është institucion i pavarur dhe kam pasur rastin të takohem me kreun e Bankës Qendrore sot në mëngjes. Shtetet e Bashkuara absolutisht e pranojnë Kushtetutën e Kosovës...Ne presim që Kushtetuta në tërësinë e saj të zbatohet plotësisht. Në këtë rast të veçantë, ne besojmë se këto rregullore mund të kenë pasoja që nuk janë menduar plotësisht. Pra, ajo që ne po i kërkojmë Bankës Qendrore dhe autoriteteve të bëjnë është të shtyjnë zbatimin e disa prej dispozitave për të dhënë pak kohë për t'u siguruar që ata kanë bërë përgatitjen për të siguruar që popullsitë e prekura të mos ndikohen negativisht. Personat që kanë marrë pagesa në një mënyrë të caktuar kanë marrëveshje për të marrë pagesa në një mënyrë tjetër...”, ka thënë ai, shkroi KSP.
Ambasadori i SHBA-së ka theksuar se duhet të zgjidhen edhe disa çështje që më pas mund të çojnë në zbatimin e vendimit.
“Ne respektojmë absolutisht autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës për të rregulluar transaksionet financiare në mbarë Kosovën. Ky është autoriteti i tyre i përgjegjësisë. Dhe besoj se një pjesë e kësaj rregulloreje shkon në diçka që ne dhe shumë të tjerë e kemi kërkuar prej kohësh, që është sigurimi i kontrolleve të duhura financiare për të shmangur krimet financiare, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit, gjëra të tilla. Por ne besojmë se nevojitet kohë dhe nevojitet periudha e tranzicionit, dhe disa çështje duhet të zgjidhen të cilat nga këndvështrimi ynë nuk duket se janë zgjidhur ende, kështu që ne si QUINT kemi kërkuar shtyrje të vendimit të zbatimit për të lejuar realizimin e kësaj pune”, është shprehur ai para gazetarëve.
Ndërsa, në rrjetin social X, Hovenier është shprehur se duhet të ofrohet kohë e mjaftueshme “për tranzicion efektiv dhe komunikim publik për të zbutur ndikimin negativ te qytetarët”.
“Sot pata një takim produktiv me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili. Përsërita shqetësimet e SHBA-së për zbatimin e rregullores së ndryshuar për operacionet me para. Ne kërkojmë që zbatimi të shtyhet për të lënë kohë të mjaftueshme për tranzicion efektiv dhe komunikim publik për të zbutur ndikimin negativ tek qytetarët”, ka shkruar në rrjetin social X ambasadori amerikan.
Në një deklarim të përbashkët për këtë çështje, vendet e QUINT-it janë shprehur të shqetësuara për ndikimin e rregullores, duke theksuar ndikimin në shkolla e spitale.
Ndërkohë në një njoftim të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, thuhet se guvernatori Ahmet Ismaili, e ka njoftuar ambasadorin Hovenier me zhvillimet kryesore në sistemin financiar, avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative, aktivitetet që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë dhe integritetin e sistemit financiar, zbatimin e objektivave dhe Planin e ri Strategjik 2024-2028 të BQK-së.
Gjatë këtij takimi, Ismaili ka sqaruar aspektet kryesore që trajton Rregullorja e re për Operacionet me Para të Gatshme dhe efektet e saj, duke argumentuar dhe sqaruar pozicionin e saj.
“Avancimi i kornizës rregullative për luftimin e dukurisë së parave të falsifikuara dhe furnizimit të rregulluar e transparent të ekonomisë me para të gatshme, që kontribuojnë në ruajtjen dhe rritjen e integritetit të sistemit financiar dhe vet valutës Euro, ishin ndër temat kryesore të këtij takimi informues”, thuhet në njoftim.
Guvernatori Ismaili ka përmendur edhe ndryshimet tjera legjislative të miratuara nga BQK-ja bazuar në planin e saj, që së bashku me këtë Rregullore kanë për synim adaptimin e praktikave më të mira që lidhen me ruajtjen e integritetit të valutës Euro dhe sistemit financiar në përgjithësi.
Sipas komunikatës për media bëhet e ditur se në linjë me këto ndryshime, u potencua nevoja që të ketë një komunikim sa më efektiv dhe të fokusuar lidhur me ndikimet e mundshme dhe kufizimet e kësaj Rregulloreje, si dhe mundësitë ekzistuese ligjore për qasje në shërbime të sigurta financiare.
“Gjatë takimit është diskutuar edhe për mundësitë ekzistuese, alternativat dhe qasjen në financa përmes kanaleve të ndryshme financiare të licencuara për operim në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Guvernatori i BQK-së e njoftoi specifikisht se vetëm në katër komunat veriore, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikro-financiare (kredidhënëse) si dhe mbi 15 institucione financiare jo-bankare për pagesa dhe këmbimore. Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së”, thuhet tutje në njoftim.
Për më tepër, bëhet e ditur se është sqaruar se Rregullorja në fjalë nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara dhe as nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK. Andaj, të gjithë individët, kanë qasje në llogari bankare dhe mund të pranojnë mjete në llogaritë e tyre në Euro, përmes kanaleve të ndryshme ligjore.
‘Pra, të gjithë qytetarët që tashmë kanë një llogari bankare në Euro, në cilëndo bankë të licencuar në Kosovë, mund ta përdorin të njëjtën për të pranuar mjetet nga çdo shtet. Ndërsa ata që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë tek secila bankë, sipas Rregullores së BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024”, thuhet tutje në njoftim.
“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia. Pas një shkëmbimi për këtë çështje me Kryeministrin të premten, QUINT-i kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores për të mundësuar një periudhë më të gjatë tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik”, thuhet në njoftim e bërë të dielën (28 janar).
QUINT-i ka kërkuar që kjo çështje duhet të diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.