Arbëri

Hoti tregon tri pikat që do diskutohen nesër në Kuvend

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në një intervistë për KTV ka zbuluar tri pikat që nesër pritet të diskutohen në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se ende nuk dihet nëse seanca e nesërme do të mbahet për shkak të mundësisë së vonesës së Listës Serbe.

Më tutje ka thënë se është fatkeqësi që Qeveria e Kosovës të varet plotësisht nga Lista Serbe.

“Besoj se janë tri pika që nesër do të jenë temë e debatit në Kuvend: E dini se si ka rrjedhë procesi i konstituimit të Kuvendit dhe tash për Qeverinë duke bërë pazare shumë të ulëta, fillimisht me deputetët individualisht. Kemi dëgjuar konspiracione nga më të ndryshmet për blerje të votave e presione të ndryshme të deputetëve individual. Mandej marrëveshjet që janë arritur më partitë politike pa asnjë parim, për mënyrën se si do të funksionojnë më tutje dhe e treta që është më e rëndësishmja futja dhe varja plotësisht nga Lista Serbe”, ka thënë Hoti në Interaktiv.

Hoti ka shtuar se Qeveria e re do të varet kryekëput nga vullneti i Beogradit, ndërsa ka përkujtuar se Qeveria e më parshme, e udhëhequr nga LDK-së kishte një shumicë solide shqiptare.

“Kjo Qeveri kryekëput do të varet nga vullneti i Beogradit. Ne kemi pasur një shumicë solide shqiptare, por ne në asnjë moment nuk jemi varur nga Lista Serbe. Sigurisht se edhe ata e kanë pasur fjalën e tyre, por tre ministra të kësaj partie ishin shkarkuar. Janë disa çështje madhore që kërkojnë një konsensus së pari brenda shqiptar”, është shprehur ai.