Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti: Politikanët që përmendin luftën, e bëjnë për të mbuluar dështimin në qeverisje

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka vlerësuar se deklarata e kryeministrit Albin Kurti për rrezik të luftës në rajon është bërë me qëllimin “për të mbuluar dështimin në qeverisje”.

Të shtunën, Kurti përsëriti në një intervistë për mediumin kroat “Vecernji list” shqetësimin se Serbia po e armatos ushtrinë me pajisje nga Rusia dhe Kina.

Megjithatë, sipas deputetit të LDK-së, asnjë Qeveri në rajon nuk mundet dhe s’guxon të mendojë të nisë luftë.

“Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë në NATO. Ndërkaq, NATO-ja është e vendosur në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë. Serbia është e rrethuar me anëtarë të NATO-s”, ka shkruar Hoti të shtunën në Facebook.

Sipas Hotit, “e gjitha çfarë mund të jetë e pritshme të ndodh, është përballja e Kosovës dhe rajonit me kolaps ekonomik dhe demografik”.

“Gjithmonë nëse nuk zbatohen politikat e duhura, nëse nuk lëvizet më shpejt drejt integrimit evropian dhe nëse nuk zgjidhen mosmarrëveshjet ekzistuese. Disa politikanë që e përmendin luftën, e bëjnë për të mbuluar dështimin në qeverisje. E bëjnë për të zhvendosur vëmendjen e opinionit nga kriza energjetike, inflaconi i lartë e pakënaqësitë sociale”, ka përfunduar Hoti.