Arbëri

Hoti përmend kthimin e reciprocitetit, por nuk beson në masa ekstreme

Masën të cilën e kishte hequr me t’u vendosur në krye të Qeverisë - kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar ta rikthejë nëse nuk ka marrëveshje me Serbinë.

Sipas tij, reciprociteti me fqinjin verior është bazamenti i të gjitha veprimeve dhe ai duhet të aplikohet nëse nuk ka marrëveshje për njohje me Serbinë.

Këtë e ka thënë në kontekst të pengesave që mund t’i shfaqë Serbia në zbatimin e pikave të programit për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, përfshirë atë për dërgimin e librave në atë pjesë.

“Po kthehem prapa - kur në javët e para i kemi hequr masat e reciprocitetit, është shfuqizuar vendimi për tarifat për t’i hapur rrugë procesit të dialogut në një afat të caktuar kohor, dhe sapo ky proces të vijë në përfundim - ose kryhet me marrëveshje ndërkombëtare për njohje reciproke ose ne i zbatojmë të gjitha masat e reciprocitetit, pa përjashtim”, ka thënë Hoti të hënën, pas takimit me përfaqësues të Luginës së Preshevës. “Çdo masë që Serbia do ta drejtojë kah ne, edhe ne do ta drejtojmë kah Serbia. Por besoj që me përfshirjen e partnerëve ndërkombëtarë nuk do të kemi nevojë të shkojmë në këto ekstreme, por të arrijmë marrëveshjen finale. Ju e keni parë së fundi se i kemi disiplinuar edhe vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë”.

Por ai nuk është përgjigjur nëse reciprocitet do të ketë edhe në themelimin e një asociacioni shqiptar në Luginë, ashtu siç po e kërkojnë serbët në Kosovë.

Pikërisht reciprociteti me Serbinë kishte bërë që LDK-ja ta inicionte mocionin e mosbesimit ndaj ish-Qeverisë Kurti në marsin e vitit të kaluar. Megjithëse ishte pajtuar që kjo masë të zëvendësohej me taksën prej 100 për qind të trashëguar nga Qeveria Haradinaj, LDK-ja u zmbraps edhe nga reciprociteti. Këtë e arsyetoi me kërkesën e emisarit të ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Hoti, i cili nga zëvendës i Kurtit, u mandatua për kryeministër, pati premtuar se në Washington shkojnë për njohje reciproke. Por atje u nënshkrua vetëm një dokument i zotimeve, ku Kosova pranoi ta bënte hisedare Serbinë edhe në menaxhimin e liqenit të Ujmanit.

Hoti nuk është përgjigjur nëse me Serbinë do të ketë reciprocitet edhe sa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Një mekanizëm të ngjashëm e patën kërkuar edhe përfaqësuesit politikë të Luginës.

“Parimi i reciprocitetit është bazament i të gjitha veprimeve që kemi ndërmarrë deri tash. Mbi ato parime do të vazhdojmë edhe më tutje. Besoj se e kemi vënë në binarë të drejtë e parimor këtë proces dhe në qeverinë e ardhshme do të shkojmë më tutje”, ka thënë Hoti.

Premtime të shumta në letër për Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ka shpërndarë Hoti, i cili njëherësh është kandidat për kryeministër nga LDK-ja. Politikanëve nga Lugina nuk iu ka penguar fakti se kërkesat e parealizuara deri më tani po rikthehen në kohë fushate.

Ata e kanë përsëritur edhe kërkesën e vjetër për bashkim me Kosovën.

“Mirë që kemi zgjedhje në të gjitha nivelet dhe ato janë për të premtuar. Besoj se edhe kryeministri Hoti dhe ministrat e tjerë të kësaj qeverie do të zotohen që ta avancojnë më fuqishëm zyrën për shqiptarët. Do të bashkëpunoj ngushtë me lidershipin e Kosovës. Nëse ka pengesa do ta sugjerojmë Qeverinë të ndërmarrë masa kundër Serbisë. Bashkëpunimi duhet të fuqizohet deri në kohën e bashkimit të Luginës me Kosovën”, ka thënë Ragmi Mustafa- kryetar i PDSH-së, njëherësh ish-kryetar i Komunës së Preshevës.

“Kërkesa jonë e vazhdueshme ka qenë të trajtohet edhe çështja e luginës në kuadër të dialogut, sepse kemi parë një shans që mund të zgjidhet. Ne presim dhe është e qartë se mund të kemi mospajtim mes kërkesave politike tona dhe është normale të ketë dallim mes partive në Kosovë. Edhe kryeministrit ia kemi bërë të qartë kërkesat që kanë qenë në vazhdimësi dhe i kemi edhe me shkrim të bëra”, ka deklaruar Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë.

Por kryeministri Hoti nuk ka ushqyer shpresa tek politikanët e Luginës se angazhohet për bashkëngjitjen e tyre me Kosovën.

“Ne besojmë fuqishëm që duke e forcuar shtetin e Kosovës ne iu ndihmojmë shqiptarëve në Luginë dhe përmes aktiviteteve konkrete që tash bëhen në mënyrë të strukturuar të mundësojmë sa më parë integrimet mbarëshqiptare. Kjo nënkupton një rajon të qetë, ku Serbia dhe Kosova e mbyllin dialogun me njohje reciproke dhe rajoni është pjesë e BE-së, e shqiptarët lëvizin pa asnjë kufizim në të drejta të plota”, ka theksuar Hoti.

Një studim mbi gjendjen e shqiptarëve në Luginë, që do të kulmojë me nismë ligjore e një konferencë donatorësh në fund të vitit- janë në mesin e zotimeve që ka listuar Hoti.

Para tij, edhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj, shpërndau premtime për Luginën. Ai ka thënë se në listën për deputetë do t’i përfshijë dy përfaqësues nga Lugina e Preshevës, si dhe do të iniciojë Ligjin për mbështetjen e shqiptarëve në atë pjesë.

Edhe pse Kosova negocion me Serbinë prej vitit 2011, asnjëherë nuk janë ngritur për diskutim të drejtat e shqiptarëve në Luginë. Ish-presidenti Thaçi u pati premtuar përfaqësuesve shqiptarë të Luginës se do ta institucionalizojë plebishitin e vitit 1992 për bashkëngjitje me Kosovën. Por lugina nuk u përmend fare as në marrëveshjen e 4 shtatorit të vitit të kaluar në Washington.

Lugina e Preshevës gjithmonë ka qenë një nga pikat e nxehta sa herë që janë ngritur çështjet lidhur me Kosovën. Në prag të krizës politike në Kosovë dhe statusit të paqartë të shqiptarëve në Serbi në vitin 1992, ishte organizuar referendumi jozyrtar në Luginë, ku shumica dërrmuese pati shprehur vullnetin për bashkim me Kosovën. Prej atëherë, kjo pjesë që gjithnjë veten e quan “Kosova Lindore” ka pasur përpjekje për lidhje organike me Kosovën. Edhe pse kjo lëvizje nuk ka çuar deri te ndonjë rezultat serioz, megjithatë nuk kanë munguar veprimet politike dhe të armatosura. E tillë ishte kryengritja e UÇPMB-së që filloi në janar të vitit 2000 – gjashtë muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë. Megjithatë, synimi i shqiptarëve për të bashkuar Luginën me Kosovën nuk u arrit pas Deklaratës së Konçulit, të arritur me diplomacinë e udhëhequr nga SHBA-ja dhe NATO-ja në maj të vitit 2001, e cila i dha fund konfliktit.