Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti: PDK-ja insistonte për Thaçin në krye të dialogut, përralla e tyre ka marrë fund

Foto: Driton Paçarada

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti i është përgjigjur edhe njëherë kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, që në një konferencë për media akuzoi opozitën.

“PDK ka insistuar tash e gjashtë muaj ta mandatojë Thaçin për dialogun me Serbinë. Thaçi e ka bërë të qartë tash e gjashtë muaj se do të dialogojë për shkëmbim territoresh. Pra, PDK tash e gjashtë muaj e ka mbështetur idenë e shkëmbimit të territoreve. Sot u kujtua të deklarohet. Dhe fyen opozitën. Përralla e tyre ka marrë fund”, ka shkruar Hoti.

PDK-ja është aktualisht partia e vetme parlamentare shqiptare që mbështet idenë e presidentit për rishikimin e kufijve. Ndërsa për këtë kreu i PDK-së, Kadri Veseli sot ka mbajtur konferencë për media.

Në konferencën që kryetari i PDK-së e kishte thirrur për orën 12:00 e nuk doli deri në orën 13:00, tha se thirrja e seancës së jashtëzakonshme nga opozita është dëmi më i madh që po i bëhet Kosovës.

Megjithatë, PDK-ja do të jetë në seancën e jashtëzakonshme, por sipas Veselit, për të evituar lojën që po bëhet me ndarje dhe me kufij të Kosovës. Sipas tij, disa po shesin patriotizëm në Kosovë e po bëhen miq me Serbinë.

Më parë, Hoti shkroi një tjetër mendim në profilin e tij në Facebook, ku tha se konsolidimi i mëtejmë i shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare është dëmtuar shumë nga veprimet jo kushtetuese të Presidentit Thaçi për shkëmbim territoresh me Serbinë. “Njohjet e reja dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare është stopuar plotësisht. Praktikisht, ministri i jashtëm i Kosovës rri kot në zyrën e tij. Deklarimet e sotme të Kryetarit të PDK-së janë të vonuara. Ai është bashkëfajtor në këtë dëm që i është bërë shtetit të Kosovës, pasi asnjëherë nuk e ka ngritur zërin për këto veprime kundër shtetit të Kosovës nga Presidenti Thaçi”, kishte shkruar Hoti.