Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti paralajmëron publikimin e marrëveshjeve me SHBA-në: Po neglizhohen

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se në ditët në vijim do t’i publikojë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga qeveria e tij me SHBA-në në vitin 2020.

Sipas Hotit, këto marrëveshje po neglizhohen nga qeveria Kurti.

“Maqedonia e Veriut diskuton partneritetin strategjik me ShBA. Kjo është e rëndësishme për gjithë rajonin. E përgëzoj Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut për këtë arritje. Ndërkaq, Qeveria e Kosovës e neglizhon Marrëveshjen e Uashingtonin të 4 shtatorit 2020, që është e natyrës së partneritetit strategjik mes Kosovës dhe ShBA-së. Pyetjet themelore janë: 1. Pse po neglizhohet kjo marrëveshje? 2. Pse po neglizhohet studimi i fizibilitetit për të lidhur Prishtinën me hekurudhë në Portin e Adriatikut? 3. Pse po neglizhohet mundësia për qasje në financim për ndërmarrje të vogla dhe të mesme në tregjet financiare amerikane? 4. Pse po neglizhohet mundësia për projekte bilaterale? 5. Pse po neglizhohet zbatimi i Marrëveshjes Kosovë-ShBA për Insentiva në Investime, e nënshkruar më 31 dhjetor 2020 nga Qeveria Hoti? =6. Pse u shty për më shumë se një vit marrëveshja me MCC për energji, ku përfshihej rrjeti i gazit dhe bateritë për ruajtje të energjisë, e në fund prapë u pajtuan për bateritë? Në ditën në vijim do t’i publikoj të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga Qeveria Hoti me ShBA, të cilat po neglizhohen, si dhe pasojat për Kosovën”, ka shkruar Hoti.