Kosova nuk ka ciceronë të licencuar nga shteti, derisa ciceronët vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe e bëjnë guidën në Kosovë, ka deklaruar Baki Hoti, kryetar i Unionit të Turizmit të Kosovës.
Hoti ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, se në ligjin për Turizmin të vitit 2013 nuk janë paraparë fare ciceronët, derisa në ligjin e ri, i cili pritet të miratohet në Kuvendin e Kosovës së shpejti, pritet të rregullohet kjo çështje.
“Ne nuk kemi pasur ciceronë të licencuar, kjo është një brengë e madhe. Të vjen një ciceron nga Maqedonia e Veriut dhe e bën guidën në Kosovë. Kush e di se çfarë thotë ai. Kjo ishte vetëm njëra nga mangësitë e ligjit të vitit 2013. Ka ardhur koha që të punojmë me pjesën e standardizimit. Nuk mundet një agjenci transportuese që ka autobusë të bëjë aranzhime turistike, pasi nuk e është e specializuar”, ka thënë Hoti, duke dhënë detaje edhe për mbarëvajtjen e Panairit të Turizmit që është mbajtur në Kosovë këto ditë, e në të cilin kanë marrë pjesë 120 biznese nga shtatë vende të rajonit.
Hoti ka folur edhe për punën që është duke u bërë për përfshirjen e Kosovës në pakot ballkanike për turizëm.
“Kosova ka mjaft potencial për turizmin dimëror, sidomos nga koha e pandemisë e tash. Turizmi malor është duke u frekuentuar shumë. Kemi grupe të ndryshme të cilat bëjnë hiking nëpër shtigjet malore. Komuna e Pejës ka punuar shumë për rregullimin e shtigjeve, sinjalizimin dhe elementeve përcjellëse të cilat duhet t’i ketë një shteg turistik. Po shtohet numri i vizitorëve për turizmin malor”, ka thënë Hoti.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se kohëve të fundit është shtuar numri i vizitorëve nga Shqipëria në Kosovë, derisa ka shtuar se turistët që vijnë në Kosovë qëndrojnë 2-3 net, kryesisht.