Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti kërkon aktivizimin e Planit tashmë të riaktivizuar

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, me qëllim që të sigurohet koordinim nacional pas situatës së krijuar me pandeminë COVID-19, të hënën kërkoi aktivizimin e Planit të Reagimit Kombëtar. Por ky plan është aktivizuar tashmë nga ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu. Më 8 qershor të këtij viti, ministri Veliu ka nënshkruar vendimin për aktivizimin e këtij plani, duke e ndryshuar kështu edhe përbërjen e Grupit Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve, raporton KOHA.

Një veprim të tillë, të cilin Hoti e kërkoi në mbledhjen e ekzekutivit të mbajtur të mërkurën, Veliu e kishte marrë dy muaj më parë me qëllim që të koordinojë të gjitha veprimet institucionale sa i përket menaxhimit të situatës me COVID-19.

Pavarësisht kësaj kontradikte, Veliu nuk e mori fjalën për të sqaruar situatën në mbledhjen e Qeverisë kur shefi i tij, Hoti, kërkoi aktivizimin e këtij plani.

E pyetur për të sqaruar këtë kontraditë, shefja e kabinetit të kryeministrit, Ardita Dushi, i ka thënë “Kohës” se Hoti ishte në dijeni për këtë plan, prandaj edhe ka kërkuar “riaktivizimin” e planit dhe jo “aktivizimin” e tij.

“Në mbledhjen e Qeverisë nuk është marrë vendim për këtë plan, por ka qenë vetëm informatë për riaktualizim të tij, pra kryeministri Hoti ka kërkuar që të bashkëveprojnë prapë të gjitha institucionet në bazë të atij plani. Ky plan asnjëherë nuk është pushuar, por meqë kemi pasur një ndërprerje të funksionalizimit deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, kjo informatë ka qenë për t’u sjellë ky plan në vëmendjen e ministrave”, ka thënë Dushi.

Edhe Veliu thërret takimin e parë rreth Planit të Reagimit Kombëtar Arbëri Veliu thërret takimin e parë rreth Planit të Reagimit Kombëtar

Madje ajo ka theksuar se shtabet komunale aktualisht funksionojnë në bazë të këtij plani, të cilin e kishte aktivizuar Veliu disa ditë pasi u votua Qeveria Hoti.

Por kryeministri Hoti gjatë paraqitjes së kërkesës së tij, në mbledhjen e kabinetit qeveritar nuk e kishte përdorur termin “riaktivizim”, por kërkoi “aktivizimin” e këtij plani.

“Sigurisht, pritjet tona kanë qenë që fundi i qershorit, fillimi i korrikut kurba e rasteve do të bjerë, por, siç po ndodh në nivel botëror po hyjmë plotësisht në fazën e dytë të pandemisë. Duke qenë kështu unë kërkoj që të aktivizohet Plani i Reagimit Kombëtar i cili është në fuqi, e që parash angazhimet e të gjitha ministrive, institucioneve të nivelit qendror lokal, si dhe angazhimin e sektorit privat të cilin ne veçse e kemi paraparë”, ka thënë Hoti në mbledhjen e Qeverisë.

Duke e aktivizuar këtë plan, sipas Hotit, faza e rëndë në të cilën gjendet vendi do të jetë më lehtë e menaxhueshme.

Edhe Plani i Reagimit Kombëtar: Veliu mban takimin e parë rreth planit që ekzistoi që nga marsi Arbëri Plani i Reagimit Kombëtar: Veliu mban takimin e parë rreth planit që ekzistoi që nga marsi

Këtë plan e pati aktivizuar edhe ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, në mars të këtij viti. Vendimin e Sveçles e shfuqizoi ministri Veliu me vendimin e 8 qershorit.

Plani i Reagimit Kombëtar siguron strukturë dhe mekanizma për politikat e nivelit kombëtar dhe për koordinim operacional të menaxhimit të incidenteve. Me aktivizimin e Planit, ministri i MPBAP-së merr rolin e koordinatorit qeveritar me menaxhimin e incidenteve vendore. Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike është përgjegjës për koordinimin e operacioneve qendrore brenda Kosovës, për t’u përgatitur, reaguar dhe rimëkëmbur nga fatkeqësitë natyrore, teknologjike dhe të shkaktuara nga faktori njeri.