Arbëri

Hoti: Ballafaqimi në Këshillin e Sigurimit, totalisht i panevojshëm dhe i dëmshëm

Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se ballafaqimi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në mes të kryeministrit Albin Kurtit e presidentit serb, ishte i panevojshëm.

Hoti ka theksuar se seanca e së enjtes mbrëma në Këshillin e Sigurimit ishte e para ku aleatët e kritikuan Kosovën.

“Ballafaqimi në Këshillin e Sigurimit ishte totalisht i panevojshëm, joproduktiv dhe i dëmshëm për Kosovën. U dëshmua qartësisht se mungesa e bashkërendimit të veprimeve tona me aleatët ka pasoja për Kosovën. Mbrëmë ishte hera e parë që aleatët tanë kryesorë na kritikojnë në një diskutim të Këshillit të Sigurimit”, ka shkruar ai në Facebook.

Hoti ka shtuar se qasja e Qeverisë nuk po i shërben integrimit euroatlantik.

“Kjo qasje e Qeverisë Kurti nuk i shërben integrimit euro-atlantik të Kosovës. Është për keqardhje që veprimet e drejta të Kosovës, të cilat asnjë aleat nuk i konteston në aspektin kushtetues, të na kthehen si bumerang për shkak të politikës së mbrapshtë ku çdo veprim shtetëror i nënshtrohet interesit elektoral momental të partisë në pushtet”, ka përfunduar ai.

https://www.koha.net/arberi/408696/dinari-perplas-kurtin-e-vuciqin-ne-ks-te-okb-se-shba-ja-kerkon-shtyrjen-e-vendimit/