Arbëri

Hodaj: Veprimet e Policisë në veri janë brenda mandatit të saj kushtetues, po i trajtojmë ankesat

Kryeshefi i Inspektoratit Policor (IPK) të Kosovës, Kushtrim Hodaj, ka thënë se veprimet e Policisë së Kosovës në veri të vendit janë brenda mandatit të saj kushtetues.

Ai të hënën në një intervistë në emisionin “60 Minuta” të KTV-së ka theksuar se si IPK kujdesen që të hetojnë çfarëdo dyshimi për tejkalim të autorizimeve nga ana e zyrtareve policorë edhe në veri të vendit, por se parimisht veprimet e Policisë së Kosovës atje janë brenda mandatit të saj ligjor.

Hodaj nuk i ka komentuar akuzat e zyrtarëve të Listës Serbe se shpërthimet në veri po inskenohen për të arsyetuar praninë e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës atje.

“Nuk i komentojmë deklaratat e partive politike, çfarëdo qofshin ato, ne konsiderojmë që Policia e Kosovës është në mandatin e saj ligjor dhe kushtetues, është duke kryer detyrën e saj, në të gjitha pjesët e vendit, përfshirë edhe veriun, sidomos pjesa veriore ka specifikat dhe rrezikshmërinë e caktuar për shkak të situatës që mbizotëron atje”, është shprehur Hodaj.

Sipas tij tejkalime të mandatit mund të ketë sikurse në çdo pjesë të vendit, por se ato do të trajtohen me profesionalizëm dhe në mënyrë të paanshme.

“Muajve të fundit nuk kemi pranuar ankesa të qytetarëve nga veriu, por ne kemi filluar hetimet sipas detyrës zyrtare në bazë të deklarimeve publike që kanë bërë disa qytetarë që janë keqtrajtuar, aspo zyrtarë të institucioneve të ndryshme, apo të Republikës së Serbisë që janë keqtrajtuar nga zyrtarë të Policisë së Kosovës”, ka deklaruara Hodaj.

Ai ka thënë se posa të kenë ndonjë rezultat konkret do të dalin me raporte për këtë raste që janë duke i trajtuar. “Nëse ka pas tejkalim, sikurse në çdo rast tjetër do të ndërmarrim masat e nevojshme”, është shprehur Hodaj.

Për rastin e plagosjes së një qytetarit serb në veri që ka ndodhur muaj më parë, ai ka thënë se janë arrestuar dhe suspenduar tre zyrtarë policorë dhe rasti është duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit.

Hodaj ka thënë se në nivel vendi brenda vitit mesatarisht trajtojnë 1800 -1900 raste.

Sipas tij disa raste i iniciojnë vetë ndërsa ka edhe të tjera që iniciohen pas ankesave që pranojnë nga qytetarët.

Ai ka thënë se më së shumti kanë ankesa për kundërvajtje, ankesa për keqtrajtim, komunikim jo të duhur e korrupsion.

Hodaj ka deklaruar se këtë vit janë duke hetuar edhe mënyrën e trajtimit të rasteve të dhunës në baza gjinore në disa stacione policore.

“Ne po trajtojmë me prioritet mënyrën se si Policia po i menaxhon rastet e dhunës në baza gjinore, është një prej inspektimeve që do ta zhvillojmë këtë vit, për të siguruar që Policia i zbaton procedurat për raste që konsiderohen të ndjeshme për kohën që po kalojmë. Deri më tani kemi përfunduar hetimin në stacionin e Obiliqit, Gjakovës, dhe jemi në përfundim të hetimit në Ferizaj, do të përzgjidhen stacionet e tjera të cilat ne konsiderojmë që ka incdicie që mund të ketë nevojë për inspektim më të thelluar të punës së tyre”, ka theksuar ai.

Ai ka folur edhe për rezultatet e këtyre hetimeve. “Inspektimet tregojnë që ka dobësi në nivelet të menaxhimit, duke filluar nga mënyra se si zbatohen rregulloret, organogrami, mënyra e trajtimit të rasteve, struktura, kriteret që duhet të përmbushin zyrtarët në pozita të caktuara”, është shprehur Hodaj.

Ka folur edhe për nënshkrimin e aktit të themelimit të Forumit rajonal të organeve mbikëqyrëse të policive, të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, që është bërë të hënën.

“Bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm, sepse sidomos keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe korrupsioni që ndodh në pikat kufitare është i rëndësishëm, sepse ndodh në mes të qytetarëve të shteteve të ndryshme, dhe në duhet që të kujdesimi që qytetarët, pavarësisht nga vijnë, të marrin shërbimin profesional nga ana e Policisë së Kosovës”, ka deklaruar Hodaj.