Kryesia e Lidhjes se Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, përmes një kumtese për medie ka vlerësuar se iniciativa e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për pajtim ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve, është një iniciativë e pa pranueshme dhe shumë e dëmshme për kohën dhe rrethanat nëpër të cilat po kalon rajoni i Ballkanit e posaçërisht Kosova, transmeton Koha.net.
Për ne, thotë kumtesa, është e pa pranueshme që burimi i pajtimit në rajon të dalë nga Republika e Kosovës, kur dihet se ende janë të pa mbyllura plagët e luftës në vendin tonë.
Kjo iniciativë është e pa pranueshme për vetë faktin se Serbia ende nuk është duke reflektuar për pajtim. Tash për tash Serbia është në ofensivë kundër Kosovës, e kjo me se miri dëshmohet me ndalimin e ish -kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj në Francë dhe tentimi i futjes se trenit në Kosovë, thotë kumtesa duke përfunduar se iniciativa për pajtim është dashur të vijë nga Serbia e cila ka kryer gjenocid ndaj popullit shqiptar të Kosovës.