Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

HEC-et që fusin përçarje ndër fshatarë dhe shkatërrojnë mjedisin

Hidrocentralet në pellgun e Lumit Lepenc tashmë janë bërë brengë e veçantë e qytetarëve dhe shoqërisë civile në regjionin jug-lindor të Kosovës.

Gjatë muajit shkurt të 2016, Organizata për Mbrojtjen e Mjedisit, Gjethi – OMMGJ, kishte adresuar problematikën e hidrocentraleve “Soponica 2” në Lepenc dhe në “Rekën e Kotlinës” (e para vetëm në Kaçanik, kurse e dyta edhe në Han të Elezit), duke theksuar dëmet e shumëfishta dhe afatgjata që këto ndërtime paraqesin për zonën në krahasim me përfitimet minimale. Çështja kishte arritur deri aty sa OMMGJ së bashku me një organizatë partnere kishte organizuar edhe kundërshtim publik përmes një proteste.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në atë kohë, Asambleja Komunale e Kaçanikut, nën presionin e lartpërmendur të shoqërisë civile dhe mediave, nuk kishte dhënë pëlqimin për HEC “Soponica 2”, përderisa kishte prolonguar vendimin për HEC në “Rekën e Kotlinës” me arsyetimin se kompania ofertuese duhet të arrijë marrëveshje me komunitetin. Së fundmi, me datë 31/03/2017, kjo asamble ka aprovuar me shumicë votash dhënien e pëlqimit për HEC në “Rekën e Kotlinës” për “AfaEnergy” shpk nga Prishtina.

Në të vërtetë, Komuna e Kaçanikut kishte marrë vendimin për dhënien e pëlqimit kompanisë në fjalë për ndërtimin e një HEC 2.4 MW qysh në vitin 2015. Por e njëjta kompani nuk kishte ndërmarrë asnjë hap në drejtim të realizimit të projektit.

Në ndërkohë, në fund të vitit 2016, ata kishin modifikuar kërkesën për rritjen e kapacitetit të HEC-it nga 2,4 MW në 4,9 MW. Ata gjithashtu gjatë marsit 2017, pas zhvillimeve të lartpërmendura, përmes përfaqësuesit të tyre Kujtim Hoxha, kanë nënshkruar një marrëveshje me administratorin e fshatit Kotlinë, Latif Lokun, i cili pretendon se së bashku me banorët janë pajtuar që të lejojnë ndërtimin e HEC-it në fjalë në këmbim të disa intervenimeve sipërfaqësore në infrastrukturë rrugore dhe punësimi të një numri minimal të punëtorëve pa precizuar se nga do të vijnë ata punëtorë. Marrëveshjen në fjalë e ka nënshkruar vetëm administratori i fshatit dhe jo një numër i caktuar i banorëve.

Në anën tjetër, OMMGJ-ja edhe më herët kishte ofruar të dhëna për asambleistët dhe publikun e gjerë se pse hidrocentralet, në kontekstin në fjalë, nuk paraqesin zhvillim të qëndrueshëm. Disa asambleistë që deshën të mbeten anonim kanë falënderuar OMMGJ-në për informacionin e dhënë dhe kanë premtuar përkushtimin e tyre për të votuar më drejtë për çështjet në fjalë.

Edhe pse në parim janë prodhues të energjisë së rinovueshme, në kontekst të Kosovës ku resurset ujore janë shumë minimale (në dokumentin Ujërat në Kosovë të AKMM-së theksohen vetëm 1600 m3ujë / vit për kokë banori) dhe shumëfish më të ulëta se vendet e rajonit;hidrocentralet janë të papranueshme. Kur kësaj i shtohet edhe shpërndarja disproporcionale e ujërave brenda Kosovës, ku shumica e resurseve ujore gjenden në Rrafshin e Dukagjinit, atëherë mund të paramendohet edhe arsyeshmëria e planifikimit të hidrocentraleve në Rrafshin e Kosovës.

Nëse HEC-i do të ndërtohej dhe uji do të futej në gypa atëherë edhe potencialet ekonomiko-bujqësore, edhe pse jo të shumta, do të humbeshin në pakthim. Përveç tokave që janë punuar tradicionalisht, në Luginën e Lumit në fjalë tashme ka të ngritura edhe serra që janë subvencionuar nga grantet qeveritare dhe të donatorëve. Gjithashtu aty janë të planifikuara dhe ndërtuara edhe biznese të vogla hotelierike dhe rekreative (restorante, pishina dhe mullinjtë ekzistues tradicional) që do e plotësonin imazhin e një zhvillimi të mirëfilltë, që në këtë rast do ta përmbante anën sociale ku banorët e regjionit dhe më gjerë, sikur deri tani, do të vazhdonin ta shijonin natyrën unike ku, përveç tjerash, në luginën në fjalë gërshetohen klima mesdhetare me atë kontinentale.

Toka me potenciale bujqësore si dhe serrat e mbështetura nga grantet qeveritare/donatorët në Rekën e Kotlinës.

Natyra unike e Bjeshkëve të Sharrit me vlera potenciale për trashëgimi natyrore dhe në afërsi të Parkut nacional Sharri nuk do të mbetej më e tillë. Hidrocentrali do e shkatërronte këtë natyrë përmes punëve ndërtimore, humbjes së peizazhit të mrekullueshëm dhe çka është më e dëmshme dhe më afatgjate (deri 50+ vite) përmes vet ekzistencës së tij dhe mungesës së ujit.

Në atë zonë mungesa e ujit do të thotë mungesë e florës dhe faunës dhe çdo gjëje tjetër që e karakterizon zonën. E ardhmja duket edhe më e ngrysur kur dihet mungesa e mekanizmave dhe niveli i zbatimit të ligjeve në Kosovë duke e bërë jo të besueshëm informacionin se lumi do të vazhdojë ta mbajë 30% të sasisë ekologjie të tij.

Të gjitha këto dëme dhe shkatërrime, që në krahasim me përfitimet minimale janë vendimtare, OMMGJ-ja ua kishte prezantuar banorëve më herët dhe të njëjtën e bëri edhe më 29/03/2017. Lidhur me këto informacione dhe nënshkrimin e marrëveshjes së lartpërmendur, vëllezërit Fehmi dhe Isak Kuqi nga fshati Kotlinë shprehen të indinjuar dhe theksojnë se nuk pajtohen me ndërtimin e një impianti të tillë.

Ata gjithashtu theksojnë se edhe një numër i madh i banorëve kundërshtojnë një gjë të tillë. Për më shumë ata pretendojnë se “AfaCompany” dhe Qeveria Lokale, me veprime të tillajo gjithëpërfshirëse po i nxisin banorët kundër njëri tjetrit sikundër që dhënia e pëlqimit, ndërtimi i hidrocentralit dhe, si rezultat, mungesa e burimit kryesor të jetës (ujit) do të ndikojë drejtpërdrejtë në zhvendosjen e shumicës së banorëve nga ai fshat.

Fehmi Kuqi, i cili me vëllezërit dhe shumicën e banorëve e kanë ujin burim jetese përmes konsumit të përditshëm, mullirit tradicional dhe ujitjes

Gjithashtu duhet theksuar se përveç disa banorëve,kompania nuk ka kontaktuar asnjë komunitet tjetër (bizneset, bujqit, shoqërinë civile ku aktor relevant është edhe OMMGJ-ja).

Gjatë viteve të mëhershme, Asambleja Komunale e Kaçanikut pa ndonjë diskutim të veçantë, kishte dhënë pëlqimet për ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Lepenc dhe atë hidrocentralin mbi Urën e Banovinës (2012), hidrocentralin “Soponica” (2015) për kompaninë “2 Korriku” nga Kaçaniku me pronar Ejup Kovaçi dhe hidrocentralin “KrivaReka” (2015) për Kompaninë “P&I” nga Ferizaj.

Këta, së bashku me hidrocentralin e lartpërmendur “Reka e Kotlinës”, janë 4 nga gjithsej 11 hidrocentrale të parapara në pellgun e lumit Lepenc nga studimet e vlerësimit të potencialeve për hidrocentrale të vogla në Kosovë (2006 dhe 2009) të mbështetura nga Ministria e Energjisë dhe Minierave në Kosovë. Vetëm i pari nga 4 hidrocentralet e përmendura ka filluar montimin e gypave, kurse 3 të tjerët nuk kanë filluar fare.

(Autor i këtij shkrimi është Sami Stagova, planer hapësinor, udhëheqës i sektorit për hapësira publike dhe çështje tjera mjedisore (HP), Organizata për Mbrojtjen e Mjedisit Gjethi, OMMGJ)