Arbëri

Haziri tregon përse nuk kandidoi për kryeministër

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka komentuar marrëveshjen e partisë së tij për koalicion parazgjedhor me AKR-në, Alternativën e Lëvizjen për Drejtësi si dhe nominimin e Avdullah Hotit si kandidat për kryeministër.

Ai ka thënë se është i nderuar që i ishte kërkuar të kandidonte për kryeministër të Kosovës, por ka shtuar se i dhimbsen qytetarët e komunës që ai udhëheq, Gjilanit, që të dalin katër herë në votime gjatë verës.

“Unë personalisht kisha nderin me qenë i nominuar dhe i kërkuar (sikur edhe dy nënkryetarët tjerë) nga kryetari i partisë, që njëri prej neve të udhëheqim këtë kauzë politike. Por duke dashur që të kontribuoj në rritjen e koalicioneve, në mbështetjen më të madhe të qytetarëve, sikur edhe për të mos i nxjerrë qytetarët e mi të dashur të Gjilanit katër herë në votime gjatë verës, apo edhe kolegët e mi në Podujevë e Istog, vendosëm me i dhënë mbështetje të parezervë zotëri Avdullah Hotit, për të cilin kam për të punuar natë e ditë drejt fitores plebishitare”, ka shkruar ai në Facebook.

Haziri ka ofruar mbështetjen për kandidatin Hoti dhe thotë se më në fund ka ardhur koha që të “çlirohet jeta politike nga ata që e rrëzojnë dhe e ngritin kur të duan, sipas qejfeve e interesave partiake”.