Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haziri kundër dhe i ashpër me deputetët e partisë së tij për Luginën

Nënkryetari i LDK-së dhe pretendenti për kryetar të kësaj partie, Lutfi Haziri në një postim në Facebook, ka kundërshtuar ashpër zyrtarë të partisë së vet për qëndrimin e tyre të kundërt rreth bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.

Ai në këtë postim i ka akuzuar Vjosa Osmanin, Armend Zemajn dhe Haxhi Avdylin se kundërshtojnë iniciativën e tij të mëhershme rreth bashkimit të Luginës, transmeton Koha.net.

“Nuk po çuditna me Armend Zemajn e Haxhi Avdylin, por po çuditna me këtë nusen e Preshevës, vendlindjes së Idriz Seferit, e cila po shet men te Boletini i Kosovës, tue harrue vendlindjen e kolosit të Karadakut që sot gjendet në Serbi”, ka shkruar Haziri, i cili ka premtuar se do ta bëjë bashkimin e Luginës me Kosovën.

“Po i kallxoj asaj dhe krejt atyne që ‘shesin men’ për vota se qysh e kam pru simbolikisht Idriz Seferin n’Gilan, kam me e pru edhe vendlindjen e tij në Kosovë, Preshevën. Kam me e pru edhe Bujanocin, edhe Medvegjën, edhe autostradën, e edhe hekurudhën”.

“Kosova Lindore ka me qenë Kosovë. Tash asht koha. E kemi amanet me e ba të mundun. Kush e konteston këtë fakt, fort marre duhet me i ardhë!” ka përfunduar ai.

Osmani, Zemaj dhe Avdyli sot vizituan kullën e Isa Boletinit në Zveçan. Prej atje thanë se “Në kullën e Isa Boletinit, komuna e Zveçanit, në veri të vendit, pamë sërish dëshmitë e përpjekjeve shekullore për liri, të bartura brez pas brezi në trojet e të parëve tanë, të cilat sot po bëhen pjesë e pazareve të rrezikshme dhe luftë-nxitëse. Këta gurë janë dëshmi e qëndresës sonë, dhe ky vend, ashtu siç bëri historinë në të kaluarën, do e vërtetojë sërish se Kosova nuk ka tokë për t’i dhënë Serbisë”.

“Fjalimet dhe dëshirat e Vuçiçit, njëjtë si dhe të mentorëve të tij Milloseviç e Sheshel (por edhe të disave në Kosovë) për këto toka, ishin dhe do të mbeten vetëm ëndërra të papërmbushura dhe asgjë tjetër”, ka shkruar Osmani të martën në Facebook.

Artikuj të ngjashëm