Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxholli: Deputetët s’e kanë interesin e qytetarëve në plan të parë

Hulumtuesja në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Violeta Haxholli, ka deklaruar se deputetët e Kuvendit po mbajnë inate e luftëra politike që po prekin interesin e qytetarëve.

Ajo ka thënë të enjten në emisionin “60 Minuta” të KTV-së se inatet mes deputetëve janë skandaloze pasi si pasojë e tyre, Haxholli u shpreh se nuk po nënshkruhen marrëveshjet ndërkombëtare.

“Partitë e kanë prioritet të fundit interesin e qytetarëve. Në Kuvend zënë vend luftërat politike e inatet politike. Skandaloze që kaq gjatë duhet të presin projektet e interesit të qytetarëve për shkak të partive që kanë inate me njëra-tjetrën. Partitë s’po e vënë interesin qytetar në plan të parë. Partitë duhet të kuptojnë se në Kuvend duhet të ketë marrëveshje politike për disa çështje të mëdha, të ketë konsensus për çështje të mëdha. Konsensusi është gjëja më normale për partitë në Kuvend”, ka thënë Haxholli.

Sipas hulumtueses së KDI-së, fajtore për moskalim të marrëveshje ndërkombëtare është shumica në Kuvend, pasi siç ka thënë ajo, ajo s’e ka pranuar nevojën për votat e opozitës “dhe të bëjë diskutime konstruktive për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare”.

“Lufta politike po bëhet në domenin publik që të arrihet efekti i partive që të duken ashtu si duan të perceptohen...Kjo krijon edhe efekt të kundërt pasi qytetarët s’pranojnë kësi lloj zhvillimesh që nuk votohen marrëveshjet që ndikojnë në jetën e tyre”, ka potencuar zyrtarja e organizatës joqeveritare.

Edhe Kuvendit i kërkohet rritje e transparencës Arbëri Kuvendit i kërkohet rritje e transparencës

Për Haxhollin, kryefjala në Kuvendin e Kosovës është mungesa e shumicës për votimin e marrëveshjeve.

“Të ketë debat, e më pak luftë politike që përmirëson interesin dhe mirëqenien e qytetarëve...Qeveria i ka numrat vetëm për të kaluar projektligje, por jo për marrëveshje ndërkombëtare. Qeveria në disa raste s’i ka as 61 vota... Është dëshmuar një papërgjegjësi e Kuvendit që ka rezultuar me grumbullim të pikave të rendit të ditës”, ka thënë ajo.