Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (IKD) në Interaktiv të KTV-së derisa ka folur për përplasjet e sotme në seancën e Kuvendit ku u diskutua mbi çështjen e të pagjeturve, tha se këto dhe të tjera janë vërejtur prej sa kohësh mes deputetëve.
Sipas saj, përplasje janë vërejtur sidomos mes deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së dhe VV-së, që nga rrëzimi i Qeverisë Kurti e deri tek votimi i asaj të Hotit.
“E para, çështja e të pagjeturve është një prej pikave më të rëndësishme dhe më të ndjeshme për qytetarët në Kosovë, pas luftës. Ajo çfarë pamë është përgjigja më e mirë e asaj se pse për këto 20 vite nuk ka pasur një trajtim të duhur dhe zgjidhje për këtë çështje, se po ka mungesë konsensusi politik dhe mungesë të bashkërendimit të qëndrimeve të spektrit politik për këtë çështje. Tjetra, është e kuptueshme që për dikë kjo temë mund të jetë më e ndjeshme se për të tjerët, sepse është personale. Në secilën legjislaturë ka pasur deputetë të cilët kanë qenë personalisht të prekur nga lufta dhe reagimi emocional është i kuptueshëm. Mirëpo, tensionet në Kuvend gjatë këtij viti janë vërejtur bajagi shumë, sidomos mes deputetëve të LDK-së dhe VV-së, që kanë fillu me rrëzimin e qeverisë Kurti dhe pastaj janë ngritë kur është votu qeveria Hoti dhe duket që prodhuan rezultatet e para sot”, tha ajo.
Sipas saj, përdorimi i gjuhës degraduese në Kuvend është cënim i vlerave të demokracisë.