Arbëri

Haxhiu për vettingun: Jemi afër finalizimit të draftamendamenteve kushtetuese

Mbështetje procesit të vettingut i kanë dhënë përfaqësues të partive të komuniteteve jo-shumicë jo-serbe, që kanë gjashtë deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Mbështetje pa rezerva, sipas zëvendëskryeministres Emilija Rexhepi, kanë dhënë partia egjiptiane IRDK, partia turke KDTP, partia rome LPRK dhe PAI-ja e komunitetit ashkali.

Takimet me ekzekutivin ajo tha të jenë të rregullta, sa herë që ka çështje të rëndësisë nacionale.

“Ne i kemi të rregullta takimet për krejt çka është çështje nacionale me kryeministrin. Tash ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me zëvendësministren. Ajo ka shpjeguar krejt procedurat e Venecias, se si duhet të shkojë në Kuvend, në debat dhe jemi dakorduar të gjithë. Ministrja e Drejtësisë duhet të flasë me deputetët dhe t’i tregojë se si është puna, si e ka planifikuar dhe se si është krejt koncepti dhe pastaj deputetët do të vendosin”, ka thënë ajo.

Te partitë shqiptare, ftesën për konsulta rreth reformës në drejtësi e ka refuzuar LDK-ja.

Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ata do të ftohen përsëri.

Ftesë do të marrin edhe përfaqësuesit e Listës Serbe dhe partive të tjera, që nuk morën pjesë në takimin e sotëm.

Haxhiu ka bërë të ditur se Qeveria është në përfundim të procesit për hartim të amendamenteve kushtetuese, andaj ka paralajmëruar shpeshtim të takimeve me të gjitha subjektet politike.

“Duhet të jemi bashkë, duhet të jemi të unifikuar, prandaj duke qenë ne jemi në përfundim të punës sonë, draftamandamentet kushtetuese, ligjit për verifikimin e integritetit të sistemit të drejtësisë besojmë që duhen tashmë takime të vazhdueshme. Ne planifikojmë që të kemi ftesa të tjera edhe për partitë e tjera, duke qenë që LDK-ja ka thënë që diskutimet për këtë i bëjmë në Kuvend. Po ashtu Lista Serbe nuk është që ka shprehur vullnet për të na takuar. Ne jemi të gatshëm që sërish t’i ftojmë ata. Të flasim edhe në Kuvendin e Republikës dhe bashkërisht ta gjejmë një zgjidhje se si duhet të vazhdojmë tutje”, ka thënë ministrja e Drejtësisë.

Lista Serbe me grup parlamentar prej 11 deputetësh, Romani Iniciyativa që ka një deputet pa grup parlamentar, e partitë boshnjake SDU e Vakat që kanë nga një deputet, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me arsyet e mospjesëmarrjes së tyre në takimet e krerëve të Qeverisë lidhur me reformën në drejtësi.

Lidhja Demokratike, grupi parlamentar i së cilës ka 15 deputetë, e ka refuzuar ftesën e Kurtit, duke thënë se reformat madhore të drejtësisë që t’i diskutojnë në Kuvend, kur ato të vijnë në seancë.

Dy të tretat e votave të deputetëve janë të nevojshme për amendamentim të Kushtetutës.