Shkuarja në zgjedhje të reja me urdhër të Gjykatës Kushtetuese si pasojë e ngërçit në Kuvend do ta komprometonte rëndë këtë institucion, thotë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.
Hasani ka thënë se pa konstituim të Kuvendit nuk mund të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, ani pse tejkalohet afati tridhjetë ditorë i Gjykatës Kushtetuese, ku ka obliguar deputetët që deri më 26 korrik të konstituojnë legjislaturën e nëntë.
Në ditën e fundit të këtij afati, deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan të shtunën të zgjedhin trupat e legjislativit edhe në përpjekjen e 53-të, derisa pritet të mblidhen edhe një herë të shtunën në orën 22:00.
Gjykata Kushtetuese më 24 korrik ka nxjerrë masë të përkohshme për seancën konstituive, ku ua ndalon deputetëve të marrin vendime nga 27 korriku deri më 8 gusht.
Përkitazi me këtë, Hasani ka thënë se Kushtetuesja, në aktgjykimin final pas tejkalimit të masës së përkohshme më 8 gusht, do të konstatojë se deri në ndërrimin e rendit të ditës nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, gjithçka ka qenë në përputhje me Kushtetutën, mirëpo prej 1 majit, kur është propozuar votimi i fshehtë për kryeparlamentarin, ka nisur gjendja jo-kushtetuese, që tani duhet të adresohet nga Kushtetuesja.
Sipas tij, Gjykata duhet të sqarojë vetëm edhe një çështje - sa herë mund të propozohet i njëjti kandidat brenda afatit 30-ditor, duke llogaritur nga dita kur ka nisur jo-kushtetutshmëria për shkak të veprimit të Avni Deharit.
“Shkuarja në zgjedhje me urdhër të Gjykatës Kushtetuese do ta komprometonte rëndë këtë institucion aq thelbësor për Kosovën dhe për rrugën e saj euroatlantike. Kjo për dy arsye të pakontestueshme. Së pari, pa konstituim të Kuvendit nuk mund të shkohet në zgjedhje, sepse një Kuvend që nuk është konstituuar thjesht nuk ekziston në rendin kushtetues. Kjo është çështje elementare e logjikës juridike dhe e teorisë së shtetit. Një veprim i tillë do të ishte një anomali e paimagjinueshme në ndonjë sistem serioz kushtetues: do të futeshim realisht në Librin e Ginisit për absurditete juridiko-kushtetuese. Më tej, një precedent i tillë do të hapte rrugën që pas çdo cikli zgjedhor, subjektet humbëse të instrumentalizonin kryesuesin e përkohshëm për të bllokuar qëllimisht konstituimin e Kuvendit, duke e shndërruar rendin parlamentar në një krizë ciklike dhe duke instaluar anarki institucionale të qëndrueshme. Në zgjedhjet tjera, beteja do të ishte për gjetjen e një kandidati sa më të moshuar për deputet”, ka thënë ai për KSP.
Sipas tij, edhe nëse do të pranohej, për hir të diskutimit teorik, se Kuvendi është formalisht i konstituuar, Gjykata Kushtetuese nuk do të mund dhe nuk do të duhej të jepte një urdhër për shpërndarje të Kuvendit apo për organizim zgjedhjesh.
Ai ka theksuar se dekretimi për shkuarje në zgjedhje, në rast krize, mund të ndodhë vetëm si sanksion kushtetues, përmes procesit të decertifikimit të të zgjedhurve të parë të popullit.
“Vetëm në këtë formë ruhet legjitimiteti i votës dhe i rendit demokratik. Edhe ky sanksion, sidoqoftë, nuk mund të jetë ndëshkim kolektiv, por duhet të jetë proporcional dhe individual, për dy arsye themelore: E para, sepse shumica e deputetëve aktualisht po i përgjigjen detyrimit të tyre kushtetues. Mandati i deputetit në sistemin tonë kushtetues – ashtu si në shumicën e vendeve evropiane – nuk është mandat imperativ, pra nuk është i detyrueshëm në kuptimin e bindjes ndaj urdhrave të një autoriteti të jashtëm politik. E dyta, një pjesë e deputetëve që nuk po marrin pjesë në votim nuk po shkelin detyrimin kushtetues, por po e refuzojnë një proces të deformuar dhe jo-kushtetues, të imponuar nga Avni Dehari. Kjo përbën shprehje të ndërgjegjes parlamentare dhe të autonomisë së mandatit të deputetit, e cila është e paprekshme dhe e mbrojtur me normë të drejtpërdrejtë kushtetuese”, deklaron Hasani.