Arbëri

Hasani: Qeveria s’po e përfill Kushtetutën, ka shkelje te Ligji për tatimin në pronë

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë se ka shkelje kushtetuese në Ligjin për tatimin në pronë. Ai ka theksuar se përmes tij mund të ketë ndërhyrje në kompetencat komunale.

"Në shikim të parë ka shkelje të Kushtetutës aty sepse pushteti lokal nuk është në vijë vertikale... Po (mund të ketë ndërhyrje), sepse edhe atëherë kur ato mund të kenë kompetenca të deleguara ka rregull që mbikëqyret ligjshmëria, por prapë pushteti qendror nuk e mbikëqyr kushtetutshmërinë e tyre. Ky rast, falja e borxhit dhe imponimi i një barre financiare në komuna, se kur vendos për ligj që i afekton komunat domosdo duhet me pasë konsultime dhe debat me ta, ky është rregulli themelor i një shoqërie demokratike", ka thënë ai.

Hasani ka shtuar se mungesa e konsultimeve të Qeverisë me komunat mund të përdoret si argument se ligji përbën shkelje.

"Si shkelje procedurale pa asnjë diskutim. Shkelja materiale që është jashtë çdo dyshimi e qartë, është ndërhyrja në të hyra, zvogëlimi në të hyra. Kur bëhet këto ligje duhet me pasë gjithmonë parasysh aspektin e kushtetutshmërisë".

Sipas Hasanit, Qeveria nuk po e ka parasysh aspektin e kushtetutshmërisë kur po punon për ligje.

"Unë besoj që jo. Ligjet që kanë efekte më sistemike, se këtu eventualisht mund të synohet kontrolli i vetëqeverisjes lokale ose prishja e parametrave të planifikimit që i kanë ata, e zëmë, nesër-pasnesër i merr këto komuna me votë ajo kjo parti... por çështje të tjera që kanë të bëjnë me veting, me këshill prokurorial, aty është keq që janë ngutë sepse e kanë komprometuar idenë fisnike të vetingut", ka deklaruar ai.

Hasani ka theksuar se ka mungesë totale të përgjegjësisë së organit të akuzës, teksa ka pohuar se është një grup i njerëzve që punojnë për eliminime politike.

“Sot kemi një këshill prokurorial dhe një organ të akuzës që 80-90% e akuzave serioze i rrëzohen dhe askush nuk jep përgjegjësi. Asnjë vend rreth Kosovës nuk do të mundte një prokuror të qëndronte në detyrë t'u rrëzoheshin 70% e akuzave të zyrtarëve të lartë apo të shtetit dhe me thënë, jo unë mendoj kështu, dhe me vazhdu. Mungesë të përgjegjësisë totale të organit të akuzës. Unë kam shkuar në gjyq prej të njëjtëve njerëz, është një grup aty të njerëzve tërësisht të papërgjegjshëm”.

Hasani: Isufaj s’duhet të dekretohet, provat e tregojnë të padenjë për kryeprokuror

Hasani ka deklaruar se Blerim Isufaj nuk duhet të dekretohet si kryeprokuror i Shtetit.

Ai ka thënë se presidentja i ka pasur të gjitha faktet që kanë treguar se ai është i padenjë për marrje të detyrës.

“Imagjinoni çfarë do të kishte ndodhur sikur ai të ishte njëmend kryeprokuror i shtetit. Për shkak se presidentja në mënyrë të gabuar me procedurë ia dha vetes të drejtën ta rrëzojë kryesuesin e këshillit, ajo është dashtë ta bëjë këtë me rastin se është interesi më i madh. Me kryeprokurorin e shtetit i ka pasur të gjitha faktet para vetit dhe i ka që e bëjnë të padenjë sipas ligjit këtë që është sot kryeprokuror i Prokurorisë Speciale për ushtrim dhe marrje të detyrës. Kjo është hakmarrje e këtij personi ndaj pushtetit aktual për mosdekretim”, ka thënë ai.

Hasani ka përsëritur se presidentja nuk duhet ta dekretojë Isufajn.

“Shefi i shtetit duhet të tregojë a e dekreton apo jo. Nuk mund ta lë në pafundësi, është tërësisht shkelje e Kushtetutës. Nuk ka pasur të drejtë ta bëjë atë, është dashtë të thotë po ose jo. Mendoj se nuk është dashtë ta dekretojë sepse provat për sjellje e bëjnë tërësisht të padinjitetshëm atë që është sot në krye të Prokurorisë Speciale, të papërgjegjshëm, joprofesional”.

Ndërkohë, Hasani e ka parë gabim udhëzimin administrativ të Qeverisë që përmes peticionit të zgjidhet situata në veri, që pason me largimin e kryetarëve nga komunat veriore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Prapë është gabim, ata që po i mësojnë, po i mësojnë gabim. udhëzimi administrativ është vetëm me i nisë procedurat me i ndërru ata, por vendimi për me i ndërru duhet të ketë një pyetje, 'a je për me ndërru, po-jo'. Nuk mund ta caktojë ekzekutivi. Nëse shkohet kështu është proces politik, deri në janar a mund të dilet në pyetje a jo. Nuk shoh mënyrë si mund të kryhet kjo sipas zotimit ndërkombëtar që e ka marrë Qeveria. Prandaj është gabim, ose mos e merr”, ka thënë ai.

Hasani ka deklaruar se anëtarësimi i Mitrovicës së Veriut në Asociacionin e Komunave të Kosovës nuk ka asnjë vlerë, pasi politikisht është e papranueshme.