Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përmendur tri objektiva që sipas tij Kosova duhet t’i arrijë në fazën e parë të implementimit të Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Kreu i AAK-së, Haradinaj, në një postim në Facebook ka thënë se Kosova duhet të futet në Partneritet për Paqe të NATO-s, të rikthehet në agjendën integruese evropiane, e të kthehen njohjen, si dhe të rivendoset rendi dhe ligji në veri dhe të mbahen zgjedhjet lokale.
“Janë tri objektiva të rëndësishme që duhet t'i arrijë Kosova qysh në fazën e parë të implementimit të marrëveshjes kornizë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. E para, ta arrijë partneritetin për paqe si fazë e parë e anëtarësimit në NATO; Të rikthehet në agjendën integruese evropiane, duke e rikthyer edhe procesin e njohjeve të reja për shtetin e Kosovës, si dhe; Ta rivendosë rendin dhe ligjin në veri dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale atje! Krahas obligimeve të marra, këto duhet të jenë prioritetet e Qeverisë në fazën e parë të implementimit të marrëveshjes së Ohrit!” – ka shkruar Haradinaj në Facebook.