Akuza të rënda ka hedhur në drejtim të kryeministrit Albin Kurti, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi u njoftua se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë lënë jashtë Samitit për Demokraci Kosovën.
SHBA-ja njoftoi se në Samitin për Demokraci nuk e ka ftuar Kosovën sepse “s’mund t’i akomodojë të gjithë partnerët”, megjithatë kjo po shihet me shqetësim nga opozita.
Për këtë, Haradinaj ka akuzuar Kurtin se i ka degraduar raportet me SHBA-në e se po vepron vetëm për llogari të interesave personale.
“Mos-ftesa e Kosovës në Samitin e Uashingtonit duhet të na shqetësojë të gjithëve pa dallim dhe të shërbejë si sinjal alarmi për shkallën e degradimit të raporteve me ShBA-të si rezultat i qeverisjes së Albin Kurtit. Aftësitë eksperimentale dhe manipuluese të kryeministrit Kurti në emër të Kosovës në raportet me ShBA-të, janë të papranueshme dhe nuk duhet të tolerohen nga askush. Ky degradim i raporteve strategjike me ShBA-të, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë dhe Kosova ta rikthejë tashmë besimin e venitur. Ftoj kryeministrin Kurti sa më parë të lirohet nga politikat dhe veprimet për llogari të interesave të ngushta dhe agjendave e projeksioneve që synojnë zbehjen e rolit amerikan në Kosovë e rajon”, ka thënë ai në një shkrim në Facebook.
Haradinaj ka thënë se Kosova s’ka kohë për të humbur e as partner më të afërt se SHBA-ja, duke e ftuar Kurtin për riparim të raporteve dhe partneritetit me SHBA-në.
Në fund ai ka akuzuar Kurtin duke thënë se “Asnjëherë nuk do ta lejojmë shndërrimin e Kosovës në laborator të eksperimenteve neo-komuniste evropiane që kryeqendër e kanë Moskën dhe qëllim parësor e kanë zbehjen e prezencës dhe rolit të ShBA-ve në Kosovë, rajon e më gjerë”.
-
Haradinaj: Kurti të bëjë kthesë 180 shkallë, me këtë kurs po rrezikon ekzistencën e shtetit
-
Haradinaj: Kurti e dërgoi veriun në prag të ndarjes nga Kosova
-
Haradinaj fton Kurtin në interpelancë për veriun
-
Kurti pranon arsyetimin e SHBA-së për mosftesë në Samit
-
Mosftesa e SHBA-së, heshtin Qeveria e Presidenca